Emrat dhe mbiemrat e Kelmendasve në Hrtkovc dhe Nikinc të Sremit!

Ismet Azizi

Lufta mes Perandorisë Osmane dhe Austrisë i viteve 1716-1718 ka përfunduar me pushtimin dhe aneksimin e pjesëve veriore të trojeve shqiptare. Rreth 1 600 shqiptarë të besimit katolik të fisit Kelmend ( Klement) duke mos iu bindur sundimit osman u shpërngulen nga trojet veriore shqiptare. Duke iu bashkuar ushtrisë Austriake kjo popullsi migroi drejt veriut duke u vendosur në Srem.

Ismet Azizi

Në lidhje me shpërnguljen e Shqiptarëve në Srem, Noel Malcolm në veprën e tij ”Kosova një histori e shkurtër”, citon autorin Boethius: “Kelmendasit të cilët arritën në territorin habsburgas u inkorporuan si ushtarë të “kufitarit ushtarak” austro-hungarezë: atyre dhe familjeve të tyre, iu dhanë dy fshatra për të jetuar Hrtkovci dhe Nikinci, në Srem. Me ndihmën e priftërinjve katolikë shqipfolës, të cilët ndodheshin me ta, ata do ta ruanin gjuhën dhe kulturën e tyre për breza të tërë, por duke u shndërruar gradualisht në kroat’. Mandej, Malcolm citon…

Shihni postimin origjinal 1 041 fjalë më tepër

Rahiq për betejën për Karanovcin e dikurshëm: Kraleva e sotme dikur ishte e shqiptarëve!

Sipas autorit Esad Rahiq, krahina e Sanxhakut, si një rajon transversal, kurrsesi nuk ka mund të jetë i anashkaluar nga ndodhitë gjatë kohës së Kryengritjes së Parë serbe, sepse krerët e kryengritjes serbe ishin të vetëdijshëm se pikërisht nëpër këtë territor kalon lidhja në mes Bosnjës dhe Hercegovinës dhe Perandorisë Osmane, dhe se vetëm nëpër territorin e Sanxhakut mund të vijnë në kontakt të ngushtë me Malin e Zi dhe Kosovën.

Këtë e kishte kuptuar edhe pashai ambicioz i Shkodrës, Mahmud Pashë Bushatliu, i cili është i magjepsur me idenë për t’ia rrëmbyer sulltanit gjithë Turqinë evropiane dhe në këtë mënyrë përkohësisht mori nën kontroll Novi Pazarin, Prijepolen, Senicën dhe Nova Varoshin.

Udhëheqësi i Kryengritjes së Parë Serbe, Karagjorgje Petroviq, në fillim nuk kishte asnjë ide se kryengritja do të përhapet përtej kufijve të Sanxhakut të Smederevës. Ndërsa, është interesante se pashallarët që qeverisnin përreth, kryengritjen e serbëve në fillim e kanë shikuar në mënyrë të qetë, meqë raportohej se është lëvizje e drejtuar vetëm kundër dainjve dhe jeniçerëve.

Ishte e ditur se një sulm të mundshëm të Sanxhakut të Novi Pazarit, trupat kryengritëse mund ta kryejnë nëpërmjet Karanovcit (Kralevës së sotme) drejt Studenicës dhe Novi Pazarit, ose nëpërmjet Uzicës dhe Nova Varoshit. Kryengritësit serbë në vitin 1804 përparuan shumë, madje filluan të forcojnë hallkën rreth Karanovcit. Por, në ndihmë vendasve iu arriti nga Novi Pazari.

Në Karanovc kishte më shumë se 2,000 myslimanë të armatosur. Përndryshe, në këtë kasaba ishte selia e Nahijes së Pozhegës dhe kishte rreth 700 shtëpi me kopshte të bukura, të gjera e me plot lule dhe fruta. Në periudhën para kryengritjes ishte një vendbanim me rreth 4,000 banorë ku mbi 90 për qind ishin shqiptarë dhe boshnjakë.

Vendbanimi nuk kishte kulla dhe mure, por vetëm në njërën anë të fortese së madhe kufizohej nga një hendek i gjerë e i thellë. Në krye të kanalit ishte i ngritur një gardh, përmes të cilit ishin të vendosura defektet. Pa përdorim të fort të artilerisë nuk mund merrej, edhe pse nuk kishte topa.

“Karanovci në zinxhirin e fortesave turke ishte porta dalëse e Shumadisë në drejtim të Novi Pazarit, Kosovës, Maqedonisë dhe Hercegovinës” (Bogomil Hrabak, “Život u Karanovcu za vreme Prvog srpkog ustanka”, 80).

Myslimanët (shqiptarët e boshnjakët) e Karanovcit edhe më tutje shpresonin se ndaj kryengritësve serbë po përgatitej ofensiva e madhe osmane nga Bosnja, Nishi dhe Vidini.

Karanovcin dhe rrethinën nuk e kishte kapluar nga fillimi jehona kryengritjes serbe – në njërën anë për shkak të distancës nga qendra e kryengritjes e nga ana tjetër për shkak të afërsisë së kufirit austriak, por edhe për shkak të afërsisë së Novi Pazarit në të cilën ndodheshin resurset ushtarake e me të cilët kryengritësit serbë nuk duan të hyjnë në përleshje luftarake.

Pjesa më e madhe e popullsisë myslimane nga zonat që janë prekur nga kryengritja, si dhe nga i gjithë qarku Pozhegës, gravituan dhe u koncentruan në Karanovc i cili ishte vendbanimi më i fortifikuar në këtë pjesë të sanxhakut të Smederevës.

Kah mesi i qershorit, harku i kryengritësve serbë shtrëngohej drejt Karanovcit. Karanovci u sulmua nga ushtria serbe e cila numëronte rreth 6,000 ushtarë, prej të cilëve 1,000 ishin kalorës. Sulmi dhe rrethimi u drejtua nga kapetan Radiqi. Ushtria serbe së pari goditi rojet myslimane dhe arriti t’i eliminojë. Kur ushtria serbe kaloi Moravën, Karanovasit të udhëhequr nga kryetrimi i tyre Mehmed-agë Zguri, u përpoqën për të parandaluar një sulm të papritur. Kjo përpjekje kishte dështuar dhe Mehmed-aga u vra.

Popullata myslimane u largua nga shtëpitë dhe pronat e tyre dhe u tërhoq në fortifikatë ku ishin në gjendje për të mbrojtur më gjatë, për të pritur një ndihmë të re ushtarake nga Novi Pazari dhe Uzhica. Duke ditur se në fortifikatë ka sanxhaklinj të armatosur, Karagjorgje më 17 qershor 1805 i dërgoi një letër pashait së Novi Pazarit, Ejub Ferhatagës, duke i kërkuar atij të tërheq njerëzit e tij nga Karanovci, duke ia bërë me dije se nuk duhej ndërhyrë në punët e një pashallëku tjetër.

Sulmi në Karanovc filloi të dielën pasdite më 18 qershor. Në lidhje me këto ngjarje, Vuk Karaxhiq thotë: “Duke pritur përgjigje të këtij libri (letre-shkrese), serbët sulmojnë Karanovcin, por turqit ( shqiptarët dhe boshnjakët – I.A.) u mbrojtën dhe kështu thyen ushtrinë serbe e cila pothuajse iku dhe Karagjorgje shkoi në Vrbovkë (për të ngritur një ushtri të re), dhe një pjesë të vogël të ushtrisë e cila nuk iku e la në duart e eprorëve tjerë “.

Për shkak se Karanovci i myslimanëve përbëhej kryesisht nga shtëpitë prej drurit, ushtria serbe me zjarr të topave artilerikë dogjën shumë shtëpi. Të kapluara nga zjarri u mundësua që me ndriçimin e tyre të vazhdohej lufta gjatë gjithë natës. Beteja zgjati deri në mesditë të 19 qershorit. Pastaj, me një sulm të përgjithshëm nga serbët u sulmua kalaja e Karanovcit. Llogoret e gjera dhe të thella rreth kalasë dhe trimëria e mbrojtësve detyroi ushtrinë serbe të tërhiqen me humbje të konsiderueshme.

Karagjorgje, në konsultim me eprorët e vet, vendosi për të mbajtur kapitenin Radiqin. Petroviqi në një masë më të vogël të ushtarëve ende mbajti Karanovcin të rrethuar, ndërsa shkoi në Topollë me qëllim që nga atje të sjell armë – gjegjësisht ndonjë top, sepse me ato armë që posedonte nuk ishte në gjendje për të luftuar me sukses dhe të merrte fortesën.

Për shkak të rrethimit të gjatë në kalanë e Karanovcit dhe duke mos patur zgjidhje tjetër, luftëtarët pranuan një marrëveshje me serbët për ta liruar kalanë dhe dorëzimin e vendit të tyre.

Rreth 3,000 myslimanë (boshnjakë dhe shqiptarë) u larguan nga qyteti i tyre brenda një dite për të shpëtuar kokën. Nga Kurillova vazhduan rrugën drejt Novi Pazarit. Një grup i vogël shkoi në Nish. Karagjorgje dha urdhër që e gjithë ushtria për të shkuar në Karanovac ku vendbanimi ishte braktisur, pa asnjë njeri të gjallë. Aty ishin veç disa romë dhe dy hoxhallarë që qëndruan pranë xhamisë për t’u kujdesur që të mos digjet. Ndërsa Karagjorgje kaloi pranë tyre, u lutën për xhami. Karagjorgje premtoi se xhaminë nuk do ta prekë. Por, ushtria serbe gjithmonë me vet mbante mjete për ndezjen e objekteve. Ndaj, Karanovci për pak kohë u shndërrua në flakë.

Për disa orë nga Karanovaci mbeti vetëm prushi dhe hiri. Ajo që mbeti pa u djegur u rrënua nga serbët. Ushtria e tyre pastaj u kthye në Moravë. Karagjorgje me një grup të rinjsh u rikthye në Karanovc dhe i vuri zjarrin xhamisë. As për të nuk kishte mëshirë.

Karanovci i ri – Kraljeva e sotme – nuk është ndërtuar në vendin e qytetit të vjetër provincial, por pak më lartë rrjedhës së lumit Ibër, shkruan Esad Rahiq në punimin e tij “Ndikimi i Kryengritjes së Parë Serbe në boshnjakët e Sanxhakut” (faqe 75-79). /Telegrafi/

Si ia hoqën autonominë dhe si e ndanë Sanxhakun Serbia me Mali e Zi

Këshilli Vendor Antifashist i Çlirimit të Popullit të Sanxhakut, ishte organi më i lartë politik në Sanxhak gjatë luftës antifashiste. U themelua në Plevla më 20 nëntor 1943.

Kryesia e Këshillit Antifashist të Çlirimit të Popullit të Jugosllavisë, në Sesionin e Dytë të 29 nëntorit 1943 në Jajce, merr një vendim në të cilin ndër të tjera thuhet se ZAVNO (KNAÇ) i Sanxhakut ishte në funksion të organit themelues të pushtetit popullor në Sanxhak. Por, gjërat ndryshojnë më vonë.

Historikisht është e njohur se Krahina e Sanxhakut me qendër administrative në Novi Pazar ishte një trevë e banuar me shqiptarë, boshnjakë dhe sllavë në një përqindje minore. Gjatë Luftës së Dytë Botërore, në këtë krahinë ishte zhvilluar një luftë e drejtë antifashiste, ku dalloheshin shqiptarët dhe boshnjakët. Por, me të mbaruar lufta, politikanët e Serbisë dhe të Malit të Zi do të bëjnë pazare dhe do ta ndajnë këtë trevë, ashtu siç provuan ta ndajnë edhe Kosovën. Ndarja ngjau me fajin e faktorit të brendshëm, por edhe në sajë të raportit të forcave politike dhe ushtarake.

Shuarjen e Sanxhakut si Krahinë Autonome, por edhe të ndarjes administrative në mes të Malit të Zi e përfaqësonte malazezi Millovan Gjillas dhe serbi Aleksandëar Rankoviqi.

Këshilli Antifashist Popullor për Çlirimin e Sanxhakut, në kuvendin e vet më 29 mars 1945, në Novi Pazar, konstaton që rrethet e Pribojit, Maleshevës, Zllatarit, Sjenicës, Dezhevës dhe Shtavicës, pas Luftës Ballkanike, para krijimit të Jugosllavisë centraliste, i kanë takuar Serbisë, ndërsa rrethet e Plevlës (me ish-rrethin e Bolanicës) dhe Bjellopolës (me ish-rrethin e Llozanës) i kanë takuar Malit të Zi. Këshilli Antifashist i Çlirimit Popullor të Sanxhakut nuk sheh asnjë arsye që ashtu të mos jetë edhe sot, kur në bazë të vendimit të AVNOJ-it nga 29 XI 1943, ndërtohet Federata e re demokratike e Jugosllavisë.

Që në Kuvendin themeltar të këtij këshilli që është mbajtur më 20 XI 1943 në Plevle, e pastaj edhe më vonë, nuk është shtruar kërkesa për status të posaçëm të Sanxhakut në shtetin e ardhshëm. Prandaj, Këshilli Antifashist i Çlirimit të Sanxhakut, “pas dëgjimit lidhur me statusin e Sanxhakut në shtetin tonë të ri dhe pas diskutimit thelbësor për këtë çështje” vendos:

1. Rrethet e Pribojit, Mileshevës, Zllatarit, Senicës, Dezhevës (Pazarit të Ri – v.j.) dhe Shtavicës ( Tutinit) t’i takojnë Serbisë federale, ndërsa rrethet e Plevlës (me ish-rrethin e Bolanicës) dhe Bjellopolës (me ish-rrethin e Llozanës) t’i takojnë Malit të Zi.

2. Që Këshilli Antifashist i çlirimit të Sanxhakut të shpërndahet menjëherë;

3. Që këshilltarët e deritashëm të rretheve të Pribojit, Mileshevës, Zllatarit, Dezhevës dhe Shtavicës menjëherë t’i mbajnë kuvendet dhe ta zgjedhin Këshillin e përkohshëm ekzekutiv nacionalçlirimtar të rrethit;

4. Këshilli ekzekutiv Antifashist i Çlirimit Popullor të Sanxhakut pushon së funksionuar, pasi ky vendim të aplikohet në vepër;

5. Këshilli Antifashist i Çlirimit të Sanxhakut e lutë Kryesinë e AVNOJ-it (KÇKJ), Këshillin Antifashist të Çlirimit Popullor të Serbisë, si dhe Këshillin Popullor Antifashist të Çlirimit të Malit të Zi që këto vendime t’i zbatojnë në vepër.

“Vdekje fashizmit – Liri e Popullit!”, thuhet ndër të tjera aty.

Për Këshillin Popullor Antifashist të Çlirimit të Sanxhakut, vendosën anëtarët e Këshilli Ekzekutiv: Milivoje Dobrashinoviq, Jaksha Bogdanoviq, Misho Paviqeviq, Edib Hasanagiq, Marinko Golluboviq, Zhiko Zhizhiq, nënkryetari i parë Murat Sheqeragiq, nënkryetari i dytë Dushan Ivoviq!

Në Kuvend kishte dalë edhe propozimi që Malit të Zi t’i bashkohen edhe Kosova dhe Rrafshi i Dukagjinit. Këtë propozim e kishte mbështetur dhe kërkuar Marko Vujaqiqi. Sreten Vukosavleviqi, sipas dokumenteve, kishte kërkuar që Sanxhaku me çdo kusht të ndahet, sepse nuk mundet të ekzistojë si tërësi, por që me “këtë ndarje mos të ngutemi”. Ndërsa, Eduard Kardeli dhe Sreten Zhujoviqi – meqë i pari kishte marrë territore të Italisë përfshirë edhe Trieshtën – kishte theksuar se Sanxhaku duhet të likuidohet, si njësi territoriale administrative e posaçme. Të përmbajtur kishin qëndruar Mosha Pijade, Rade Pribiqeviqi dhe Mile Perunqiqi, në mënyrë që këta të marrin pjesë në Këshillin (ZAVNO) Antifashist të Sanxhakut dhe aty të maten qëndrimet e përfaqësuesve.

Vendimi për ndarjen e Sanxhakut është bërë pa e pyet fare popullin, ndërsa disa politikanë kishin theksuar se me Sanxhakun është bërë gabim dhe se këtë vendim nuk duhet zbatuar.

Por Tito, Gjillasi, Rankoviqi dhe Kardeli ishin ata që kishin bërë copëtimin e viseve etnike në Jugosllavi. /Telegrafi/

Cvijiqi: Peshterasit janë të gjatë, vitalë, elastikë, syshqiponjë, të sojit të bukur…!

Ndër studiuesit më të dalluar në shkencën sllave, Jovan Cvijiq, ka ardhur në përfundim se popullsia shqiptare është me origjinë iliro-pellazge dhe është një ndër popujt indoevropianë më të vjetër e autokton në Ballkan. Në konstatim të këtillë kanë ardhur edhe autorë të tjerë sllavë, të cilët do t’i përmendim më vonë.

Megjithatë, konstatimet e këtilla nuk kanë qenë në interes të politikës sllave, posaçërisht të asaj serbomadhe. Borgjezia serbe e kohës së Cvijiqit, ka udhëhequr një politikë kryekëput ekspansioniste-grabitqare. Qëllimi i saj, duke u dhënë rëndësi faktorëve natyrorë, ka qenë që t’i okupojë ato vende, të cilat mundësojnë dalje në det dhe që kanë rëndësi gjeostrategjike. Për të arritur këtë qëllim është dashur në fillim vendi të çlirohet nga okupuesi osman, e pastaj sa më tepër që është e mundur të marrin vend nga trojet e popujve të tjerë. Në mënyrë që të arrihej objektivi i caktuar i qeverisë serbe, më vonë edhe asaj jugosllave, para dhe pas Luftës së Dytë Botërore, duhej t’i vinin në ndihmë edhe punëtorët e shkencës, në krye me Akademinë e Shkencave.

Pikërisht, për këtë qëllim, Cvijiqi me mbështetësit e tij të kohës dhe pasuesit e mëvonshëm, duke harruar atë që kanë konstatuar më parë, filluan të plasojnë teza të reja për çështjen shqiptare të paqëndrueshme në fushën shkencore, që u kanë shërbyer interesave të politikës shtetërore grabitqare. Këto teza të Cvijiqit gjejnë mbështetje edhe në kohët e mëvonshme nga autorët sllavë.

Shkolla gjeografike e drejtimit antropogjeografik, të cilën e themeloi Cvijiqi, dallohej me dy cilësi: e para mbështetet në sqarimet parciale dhe në shtrembërimin e fakteve, që flasin për autoktoninë e shqiptarëve, dhe, e dyta, ka pasur qëllime kryekëput politike.

Në analizat shkencore që u ka bërë akademiku Hivzi Islami veprave të Cvijiqit, vjen në përfundime mjaft korrekte. Në interpretimet e informacioneve dhe të dhënave nga terreni, Cvijiqi “ishte joobjektiv, spekulant e konstruktues i konkluzioneve, shovinist e hegjemon”.

Në vijim po japim pjesë të shkrimeve të autorit në fjalë, të cilat kanë të bëjnë me mjedisin, gjegjësisht, Sanxhakun, ku takohen popullsia sllave dhe shqiptare. Në aspektin gjeografik, fiset më të forta etnografike të Gadishullit Ballkanik, janë: banorët e Kodrave të Malit të Zi, pjesët e Hercegovinës, Peshterit dhe viset e Shqipërisë veriore. Banorët e këtyre trevave i kanë ruajtur formën e vjetër të vëllazërisë fisnore, gjinive-fiseve dhe organizimin e tyre. Këta kryesisht janë shumë të gjatë, vitalë, elastikë dhe kurrsesi të trashë, fytyrë me plot shprehje, syshqiponjë të sojit të bukur/racës në Gadishullin Ballkanik – të gjithë, edhe shqiptarët myslimanë siç i quan ai “arbanasët muhamedanë”.

Në jetën e përditshme janë shumë të përmbajtur, në të shumtën e rasteve nuk konsumojnë asnjë lloj pije alkoolike, ndërsa duhan dhe kafe shumë rrallë. Pothuajse nuk ka individ me të meta fizike e të degjeneruar, siç thotë ai. Ata e kanë ruajtur moralin e fortë malor, shpesh me veçori bujare, me ndjenja të thella për bashkësinë familjare dhe flijimin, e cila nuk mungon as pranë viktimave më të çmuara. Nga këto veçori rrjedhin veçori të shumta etnografike dhe antropogjeografike. Këto veçori janë në kundërshtim të drejtpërdrejtë me kulturën dhe zakonet e popujve bizantinë dhe cincarë (arumunët). Për arbanasët (shqiptarët) toskë në jug, thotë se kanë shumë tipare bizantine dhe cincare.

Në pjesët veri-perëndimore të viseve të Serbisë blegtorët i quajnë “arnautin”, por ky është emri që nuk tregon njeriun e pasur me bagëti, por tani njerëzit e këtyre rajoneve, gjegjësisht, banorët e Sjenicës dhe Peshterasit i quajnë arnautë (shqiptarë). Ndërsa, banorët e trevës së Novi Pazarit dhe të Senicës, të cilët në masë të madhe i kanë banuar trevat e Stari Vllahut dhe Shumadinë, thuhet se kanë ardhur nga Arnautllaku (Shqipëria). Shumë fshatra në Shumadinë e ulët quhen treva të arnautëve (shqiptarëve), siç janë: Rogaci, Babana etj. Mandej edhe uzhiqasët të cilët kanë zbritur për të jetuar në Jadar dhe Maçvë. Njerëzit e atyre vendeve i kanë quajtur arnautë (shqiptarë). Edhe banorët e Kragujevcit, të cilët kanë ardhur nga trevat e Rashkës (Sanxhakut) i kanë quajtur arnautë (shqiptarë).

Në Serbinë lindore nuk është emri i pazakontë arnautë, dhe është i lidhur me imigrantët nga rrethina e Rashkës (Sanxhakut), ku janë në numër të madh. Kështu, lagjet e fshatrave i kanë quajtur lagje arnaute, ndërsa lumi që kalon nëpër qytetin e vogël të Bolevacit quhet Arnaut, siç kemi rastin edhe me shumë vorbulla. Shumica e të ardhurve në Serbi , nëpër qyteza ku janë përqendruar cincarët, rryma më e madhe për nga numri i të ardhurve janë nga Hercegovina, kodrat e Malit të Zi, trevës së Novi Pazarit, Bosnjës, por ka edhe arbanasë (shqiptarë).

Në Sanxhakun e Novi Pazarit në mesin e të ardhurve, në trevën e Sanxhakut ka Vasojeviq dhe një numër i madh i fisit Kuç, sidomos përgjatë luginës së lumit Lim. Cvijiqi në veprën e tij përveç tjerash shkruan: “Procese të rëndësishme etnografike kanë ndodhur në ato vise ku janë takuar popujt sllavë dhe ai shqiptar në Mal të Zi. Arbanasët janë serbizuar edhe në Mal të Zi. Të origjinës së tillë janë një pjesë e fisit Kuç dhe Piper, përveç asaj Vasojeviqët janë zgjeruar në kurriz të klimentëve (fisit Kelmend). Të njohura janë traditat gojore të origjinës së përbashkët të Vasojeviqëve, Piperëve dhe Ozriniqëve me Hotin dhe Krasniqin dhe afërsitë në mes tyre. Për fiset në Mal të Zi, thuhet se i kanë asimiluar popullsinë e vjetër në Bukumir, Kriçke dhe Potarje, dhe në mesin e tyre edhe fiset fqinje shqiptare”.

VENDIMI I KOMISIONIT SHTETËROR JUGOSLLAV, I CILI SHPALLI AQIF BLYTËN ME BASHKËPUNËTOR KRIMINEL LUFTE

 

Aqif Blyta 

Më poshtë mund të lexoni dokumentin e një Komisioni shtetëror të formuar pas Luftës së Dytë Botërore. Dokumenti që mban datën e 1 marsit 1945, flet për gjoja për përcaktimin e krimeve të okupatorit dhe ndihmësve të tyre gjatë luftës. Ky Komision dënon ata që mbrojtën popullatën e Sanxhakut – shumicën e dikurshme shqiptare dhe ata që deklaroheshin si boshnjakë – nga krimet e çetnikëve dhe të forcave partizane komuniste.

Vendimi i Komisionit shtetëror Jugosllav  origjinal në   PDF

KOMINIKATA NUMËR 31
E KOMISIONIT SHTETËROR PËR VERIFIKIMIN E KRIMEVE TË OKUPATORIT DHE NDIHMËSVE TË TIJ

Dokumentet, të cilat qëndrojnë pranë Komisionit shtetëror, sikurse në zonat shumëkombëshe (term ky i përdorur atëherë për zonat shumë etnike – vërejtje e Ismet Azizit) të shtetit tonë, thonë se pushtuesit gjetën bashkëpunëtor dinjitoz në kryerjen e krimeve kundër popullit tonë dhe në qarkun e Dezhevës dhe në Novi Pazar. Qysh në kohën e Jugosllavisë së paraluftës, shtypja e madhe serbe ndaj popullit shqiptar të këtij rajoni, nga njëra anë, e nga ana tjetër “komitetit” i fshehtë shqiptaromadh, kanë mbjellë farën e helmuese të urrejtjes midis arnautëve dhe serbëve. Kjo farë u zhvillua pas shpërbërjes së Jugosllavisë, në shfarosje të ndërsjellët, grabitje dhe djegie, nënkuptohet në llogari të pushtuesve dhe bashkëpunëtorëve dhe udhëheqësve të tyre në këto krime, të cilët nën pushtim u kryen mbi popujt e kësaj zone, janë bartësit e njëjtë të shqiptaromëdhenjësisë, në të vërtetë serbomdhenjësisë të Jugosllavisë së paraluftës.

Kështu, Aqif Haxhiahmetoviq-Blyta, ish-deputet nga Novi Pazari i cili qysh herët ishte në lidhje të ngushtë me Komitetin shqiptar, menjëherë pas kapitullimit të Jugosllavisë iu përvesh punës. I ndihmuar nga autoritetet pushtuese – italiane dhe gjermane – ia arriti të grumbullonte të gjithë shërbëtorët dhe armiqtë e popullit serb rreth tij dhe arriti të bëhet i frikshëm për të gjithë popujt e Sanxhakut dhe Metohisë. Ai mori afër vetës famëkeqin Ahmet Dacin, të cilin e kishte emëruar si kryebashkiak, hoxhë Ramiz Palevcin, ish-mikun e tij Ejup Lajiqin, pastaj ish-pasanikun – beun Osman Xhanefendiqin, më në fund edhe reaksionarin e njohur Vlladimir Zollaterevskin, të cilin e emëroi si zëvendëskryetar të rrethit.

Me mbështetjen e këtij grupi banditësh, Aqif Blyta, nën përkujdesjen e pushtuesit filloi të zbatojë në mënyrë sistematike politikën e tij tradhtare. Jezerovi (zonë zgjedhore – vërejtja e Ismet Azizit) serbomadh, nën ndikimin e fashizmit u bë një shqiptaromadh. Si detyrë të parë ia shtroi vetes që: rrethet e Dezhevës, Shtavicës dhe Sjenicës, të banuara kryesisht me myslimanë, t’ia bashkojë të ashtuquajturën “Shqipëri e madhe” – kolonisë fashiste italiane. Për të përmbushur këtë detyrë, Blyta mblodhi tradhtarë dhe kriminelë dhe siguroi ndihmën e policisë shqiptare dhe pushtuesin gjerman.

Akti i parë i politikës së tij tradhtare ishte kthimi prapa, rivendosja antipopullore e të drejtave feudale të dhe vendosja e sistemit të bejlerëve, d.m.th. sistemi feudal mesjetar. Me njohjen e këtyre institucioneve të errëta mesjetare, Aqif Blyta ndikoi gjithashtu edhe te qeveria tradhtare të Nediqit, për çka ai personalisht shkoi në Beograd për t’u siguruar nga rezistenca e popullit serb. Por, kur pas kthimit nga Beogradi filloi të zbatojë masat, kjo hasi në pakënaqësitë e serbëve, mbi të cilët binte barra e përmbushjes së këtij plani hajdut e të errët.

Për ta realizuar pa pengesa politikën e tij, ai menjëherë tuboi shumë myslimanë të Novi Pazarit dhe rrethinës, mandej në ndihmë ftoi edhe Milicinë fashiste shqiptare, me pretekst mbrojtjeje nga komunistët, dhe në bashkëpunim me kriminelët e përmendur kreu në vitin 1941 shpërnguljen, ndezjen e shtëpive dhe pasurive, plaçkitje dhe vrasjet masive të serbëve dhe shqiptarëve atdhedashës. Para se t’i zhdukte të gjithë elementët përparimtarë në këtë qark, Aqif Blyta me bashkëpunëtorët e vet ishte i pamëshirshëm si në marrjen e masave drastike kriminale kundër popullit, po ashtu edhe duke shfrytëzuar të gjitha organizatat kriminale, politike e ushtarake të okupatorit. Blyta, përveç formacioneve të veta kundër popullit të pambrojtur, përdori edhe të ashtuquajturën “Milicinë myslimane”, Schuz-policinë dhe trupat SS. Kreu mobilizimin me dhunë, dhe kush nuk i përgjigjej, ishte vrarë ose dërgohej në minierat e Borit dhe të Trepçës në punë të dhunshme.

Për të frikësuar popullsinë, sa më shumë që të jetë e mundur, këta vrasës të popullit kanë ngritur dy trekëndësh të varjes – një në sheshin kryesor në Novi Pazar dhe tjetri në hyrje të Suvodollit.

Ata, kur kishin nevojë, mbanin kontakte me Drazha Mihajlloviqin, kishin mbështetjen e Milan Nediqit dhe Komitetit të Kosovës, duke shfrytëzuar herë njërin e herë tjetrin për ekzekutimin e politikës tradhtare dhe vrasëse. Kryen konsultime të shpeshta me çetnikët, si Tihomir Sharkoviqin, po ashtu edhe me gjeneralin e Nediqit, Joniqin, kolonelin Nediq dhe të tjerë, me qëllim të bashkimit në luftën kundër Lëvizjes Çlirimtare Popullore, prandaj me këtë qëllim së bashku kryen mobilizimin e dhunshëm. Organizuan një rrjet të tërë politik dhe të spiunëve në Sanxhak, Shqipëri, Kosovë dhe Serbi. Eliminuan të gjithë patriotët që penguan në realizimin qëllimeve të tyre dhe organizuan vrasjen e qytetarëve të ndershëm, simpatizantët e Luftës Nacionalçlirimtare. Midis tyre ishin katër Hamzagiqët, ndërsa vrasjen e kreu krimineli i njohur Gjiko Dresheviq, kreu i këtij grupi banditësh. Krijuan një lidhje dhe bashkëpunim me “Policinë speciale” duke e ndihmuar në shërbimin e spiunazhit dhe duke bashkëpunuar në atë mënyrë duke tradhtuar disa persona duke dëshmuar se i njihnin si komunistë. Ata ishin në kontakt të ngushtë me Gestapon duke i dhënë informacione për shumë persona, për kundërshtarët e tyre, shpesh edhe të pafajshëm duke i akuzuar në mënyrë të rreme.

Organizuan “Milicinë” dhe formacione tjera të cilat zhvilluan luftë kundër Ushtrisë Nacionalçlirimtare deri në nëntor të viti 1944, kur forcat NÇ-së i thyen dhe çliruan Novi Pazarin dhe trevat tjera në të cilat kishin kryer krime.

Në bazë të dokumenteve të shumta publike të konfiskuara, bashkë me akuzat e tyre, dëshmitë e dëshmitarëve dhe posaçërisht deklaratat e Husë Drazhaninit, një agjent i Gestaposë i cili ishte mirë i vetëdijshëm për punën e tyre tradhtare, me rrjetin e lidhjeve dhe rolin e çdo individi në këtë veprimtari kriminale, Komisioni shtetëror përcakton se ish-deputeti i Jezerit, Aqif Haxhiahmetoviqin-Blyta, hoxha Ramiz Palevci, Ahmet Daci, Ejup Lajiqi, Osman Haxhiefendiqi, Vlladimir Zollatervski, Gjikë Dresheviqi, vojvodën çetnik Tihomir Sharkoviq, gjeneralin e Nediqit, Joniqin, dhe kolonelin Nediq, e po ashtu edhe të gjithë bashkëpunëtorët e tyre, janë tradhtarë të popullit e kriminelë të luftës, dhe konstaton se patjetër duhet të marrin dënim më të rëndë.

Komisioni Shtetëror
për përcaktimin e krimeve të okupatorit
dhe bashkëpunëtorëve të tyre
D. nr. 377/45
Në Beograd, 1 mars 1945

Kryetar i Komisionit Shtetëror
Dr. Dushan Nedelkoviq
Profesor universitar

Sekretar i Komisionit Shtetëror,
Dr. Ivan Grgiq
Avokat[1]

 

 

 

 

 

[1]Marrë nga  pinimi i Masterit: Roli i Aqif Blytës në mbrojtje të Novi Pa

AZIZI: SHOQATA “KOSOVA PËR SANXHAKUN” NDËRTON URA TË REJA BASHKËPUNIMI!

 

Që në ditët e para të themelit shoqata “Kosova për Sanxhaku” gjeti përkrahjen nga struktura dhe individë të ndryshëm nga Sanxhaku dhe më gjerë. Menjëherë pa vizitës së parë që iu bë Këshillit Kombëtarë Boshnjak, me këtë rast iu bë pritje përzemërt vëllazërore nga kreu i këtij Këshillë Sulejman Uglanin, pasoi marrëveshje e bashkëpunimit, ku shoqata u bë anëtarë konsultativ participues i Këshillit Kombëtar Boshnjak.

Vazhdoni leximin

Kur Çubriloviqi i “çmonte” lartë vlerat shqiptare!

 

Që nga “Naçertanija” e Ilija Garashaninit që u hartua në vitin 1844, veçanërisht nga Kongresi i Berlinit (1878), nuk prajtën angazhimet e qarqeve dhe të regjimeve serbe për shkatërrimin e homogjenitetit etnik të tokave shqiptare, spastrimin etnik të tyre dhe për kolonizimin me elementin sllav. Këto veprime kanë patur për qëllim ndërrimin e kompozicionit etnodemografik në tokat shqiptare që do të binin nën sundimin serb.Së këndejmë nuk është asgjë e rastit që në vargun e veprimeve gjenocidale serbe mbi kombin shqiptar vendin e parë e zënë veprimetnë rrafshin demografik. Në të gjitha synimet dhe projektet serbe të gjysmës sy dytë të shekullit XIX dhe gjatë gjithë shekullit XX ndaj Kosovës dhe shqiptarëve, si pjesë të programit nacional serb, shtimi natyral i shqiptarëve konsiderohej si një nga pengesat më të mëdha në mposhtjen e faktorit demografik shqiptar dhe në realizimin e aspiratavepushtuese serbe.

Nga ligjërata e Çubriloviqit “Shpërngulja e Shqiptarëve” që është mbajtur në Klubin Kulturor Serb më 7 mars 1937, po veçojmë një pjesë nga elaborati itij ku theksohet: ‘Në rastin tonë duhet pasur parasysh sa më parë se këtu kemi të bëjmë me një racë të gjallë, të fuqishme dhe të pëlleshme, për të cilën i ndjeri Cvijiq ka thënë se është raca më ekspansive në Ballkan. Gjermania prej viti 1870 deri në vitin 1914 ka shpenzuar shumë miliarda marka që gradualisht, duke e blerë tokën nga polakët, t’i kolonizojë trevat e veta lindore. Por pjellshmëria e nënave polake ka ngadhënjyer mbi organizimin gjerman dhe paratë gjermane. Në vitin 1928 e mori prapë Poznanjin e vet. Statistikat tona të viti 1921 dhe të viti 1931, që i përmendëm më parë, tregojnë se edhe pjellshmëria e grave shqiptare ka ngadhënjyer mbi politikën tonë të kolonizimit’.

Çubriloviq nuk pushoi as në përfundim të Luftës së Dytë Botërore. Në vitin 1944 doli me projektin me titull “Problemi i Pakicave në Jugosllavnë e Re”. Këtu ai parasheh që për pakicat të formohen kampe të përqendrimit kurse pasuritë etyre të konfiskohen. Më tutje, ai propozon që familjet e tyre të dërgohen në kampe dhe, në rastin e parë, të dëbohen në shtetet kombëtare të tyre. Këtu, në radhë të parë, ai parashihte dëbimin e shqiptarëve, hungarezëve dhe gjermanëve. Medoemos, sipas tij, Pollogu dhe Dukagjini duhet spastruar  nga shqiptarët.

Ndërsa për Sanxhakun e Novi Pazarit thoshte se “zgjidhet vetvetiu dhe ai, në jetën tonë shtetërore, nuk e luan atë rol që luante në vitin 1912. Vetëm do të përmendim se me shpërnguljen e shqiptarëve këputet lidhja e fundit e myslimanëve tanë në Bosnjë e në Novi Pazar me pjesën tjetër të botës myslimane. Ata bëhen pakicë fetare, e vetmja pakicë myslimane në Ballkan, i cili fakt do të shpejtoj nacionalizimin e tyre” – shkruante në elaboratin e tij, në lidhje me propoziminj e kolonizimit të viseve jugore.

Është momenti ta pyesim vetën, a jemi më “një racë të gjallë”, racë “e fuqishme”, a jemi racë në ekspansion në Ballkan, siç konsideroheshim dikur, a po jo ?

A ka kush që mund të merret me këtë çështje, apo kanë “ikur” e duhet të presim të vijnë? A duhet me doemos ta bëjmë me kohë punën që patjetër duhet bërë në mënyrë që tjerët (serbët) të mos e bëjnë për ne, nëpërmjet nesh.Me këtë shkallë të emigrimit, të përtëritjes së popullsisë dyshoj se pas 15 -20 viteve nuk do të mund të merren kurrëfar masashpër që thotëÇubriloviq që të jemi ata që ishim:“racë e gjallë”, “racë e fuqishme” apo racë në ekspansion. Apo siç thoshte më herët Cvijiqi, mësuesi i Çubrilloviqit: “Në aspektin gjeografik, fiset më të forta etnografike të Gadishullit Ballkanik janë: banorët e Kodrave të Malit të Zi, Peshterit dhe viset e Shqipërisë veriore. Banorët e këtyre trevave e kanë ruajtur formën e vjetër të vëllazërisë fisnore, gjinive-fiseve, organizimin, karakteristikat tjera dhe pamjen e tyre fizike.”

Në kërkim të së vërtetës së Sanxhakut!

 

Dilemave rreth origjinës së popullësisë myslimane të Sanxhakut, po u vije fundi. Falë  profesionalizmit dhe argumenteve shkencore të studiuesve të fushave të ndryshme: historisë, arkeologjisë, antropologjisë, kulturës, dokeve e zakoneve, pastaj, në bazë të  historisë orale, të cilën e kanë hulumtuar autorë të shquar të kësaj treve, gjithnjë e më shumë na ofrojnë të dhëna për ta njohur e mësuar më mirë të vërtetën. Sot kemi mjaft studime të autorëve dhe instutucioneve shkencore boshnjake dhe serbe, të cilat dëshmojnë me argumente për origjinën shqiptare të popullësisë jo vetëm të rrafshanaltës së Peshterit, por edhe më gjerë. Vazhdoni leximin

“Milicia vullnetare antikomuniste” dhe ajo “myslimane” e Sanxhakut 1941-1944!

vulnetari-Velike - Copy (2)

“Milicia myslimane” është emërtim për grupet e pavarura lokale të armatosura në fshatrat e banuara me shqiptarë dhe boshnjakë në Sanxhak, gjatë Luftës së Dytë Botërore.

 

Ismet Azizi

Formimi i “Milicisë myslimane” filloi në gjysmën e dytë të vitit 1941, si kundërpërgjigje ndaj masakrave çetnike të popullsisë jo serbe, në fund të 1941 dhe në fillim të 1942 dhe kishin për qëllim mbrojtjen e fshatrave të banuar me shqiptarë dhe boshnjakë nga njësitë çetnike, por edhe nga ato partizane.

Nga gjysma e dytë e vitit 1941 në rajonin e Sanxhakut fillon për të vepruar e ashtuquajtura. “Milicia Myslimane”, e cila në burimet historike të asaj kohe quhet edhe “ushtria myslimane”. Këto njësi janë formuar në nivelin e çetave, ndërsa në disa vende ishin në shkallë të batalionit.

Milicia myslimane është organizuar me qëllim që të mbrojnë fshatrat dhe shtëpitë e tyre, një lloj i njësive për mbrojtje. Ata kishin karakter ushtarak vetëm për atë si ishin të armatosur dhe kishin komandantët e tyre. Në anën tjetër, në asnjë mënyrë nuk ndryshonin nga pjesa tjetër e popullsisë rurale, ka jetuar në shtëpitë e tyre, janë ushqyer në familjet e tyre, kanë lëvizur me kostume tradicionale dhe ishin të armatosur kryesisht me armët e tyre. Ishin organizata një nacionale të përbëra ekskluzivisht nga myslimanët(shqiptarët dhe boshnjakët) .

Vlen të thuhet se edhe udhëheqja krahinore antifashiste në Sanxhak në raportet e tyre të luftës i trajtonin si organizata mbrojtëse të cilat kanë mbrojtur fshatrat e tyre dhe nuk i lejojnë të hyhet në to, kryesisht çetnikëve, por ata nuk ishin në pajtimit as me partizanët, edhe pse ndaj njërës dhe tjetrës kishin qëndrim krejtësisht të ndryshme. Me çetnikët ishin konfrontuar dhe gjithmonë ishin të gatshëm për të luftuar me ta, ndërsa me partizanët janë marrë vesh dhe gjenin mundësi për të penguar ata të hyjnë në trevat e tyre. Këtë e konfirmojnë raportimet e shumta të Komitetit të Qarkut të PKJ për Sanxhak si Komitetit Krahinor i Partisë Komuniste të Jugosllavisë për Malin e Zi dhe Boka.

E vetmja gjë që ata mund të ishin “fajtor” ishte se pjesëtarët e këtyre njësive vetëmbrojtje nuk janë pajtuar me qëllimet ideologjike të komunistëve partizan.

Gjermanët dhe Italianët, në territoret që kontrollonin, kishin lejuar veprimin e milicisë myslimane, sepse ajo nuk i sulmonte njerëzit e tyre, ndërsa në trevat e veta, siguronte rendin dhe qetësinë.

milicia

Për dallim nga ta, në territorin që ka qenë një pjesë integrale e të ashtuquajturës Shqipëria Etnike Italianët kishin formuar njësitë të ashtuquajtura” Vullnetarët”. Vullnetarët ose “milicia volontario anti-komunist” (“milicia vullnetare antikomuniste”). Këto njësi policore kanë ekzistuar vetëm në qytetet dhe ishin të përziera në pikëpamje nacionale. Në to, sipas rregullave numri ishte i barabartë (proporcional) i serbëve dhe malazezëve në njërën anë dhe Myslimanëve (shqiptarëve dhe boshnjakëve) në anën tjetër. Këto njësi ishin në Plavë, Guci, Rzhaninin e Epërm, Rozhajë, Bijelo Pole dhe Senicë. Ajo pjesërisht ishte ushtri me pagesë. Ata kishin për detyrë të ruajnë kufirin me Malin e Zi, për çka ishin edhe të motivuar me faktin se në at mënyrë në të njëjtën kohë mbronin vendbanimet e tyre dhe shtëpitë e tyre nga sulmet dhe shfarosja që ju kanosej nga çetnikët.

Milicia Myslimane (ushtria myslimane) nuk ishte i lidhur në mënyrë hierarkike, por secila prej tyre ishte e pavarur, duke vepruar në territorin e saj, në të vërtetë vendin e tyre të lindjes.

-Me Batalionin e Bihorit të Ulët komandonte Qazim Sijariq, ndërsa zëvendësi i tij ishte Smajo Trublanin

-Me kompaninë në Pavino Pole dhe Shahoviqit, komandohej nga Selim Jukoviq,ndërsa ajo ka qenë e lidhur me njësinë myslimane të Komoranit…, komandant i së cilës ishte Rovçanin Husein

-Njësitë e para të cilat nga fillimi, janë formuar si polici myslimane kanë qenë në Hisarxhik, të Prijepolës komandant i së cilës ishte Hoxhë Sulejman Paçarizi

-Një kompani e milicisë myslimane ka ekzistuar në fshatin Petnicë, në Bihor e Epërm,që përfshinte Petnicën dhe Vrbicën. Komandanti i saj ishte Osman Rastoder hoxhë nga Petnica, ndërsa ndihmësi i tij ishte Xhulë Agoviq.

-Komandanti i vullnetarëve të Rozhajës ishte Mulla Jakub Kardoviq (Kombi), komandanti i xhandarmërisë Qerim Kurpejoviq, ndërsa nënprefekt Adem Kurtagaj. Vullnetarët e Rozhajës posaçërisht u dalluan në luftërat me çetnikët në mbrojtje  e  Pazarit të Ri.

-Në Senicë u formua togu i milicisë me përbërje etnike të përzier nga boshnjakët dhe serbët. Kjo ishte një lloj milicie paqësore e formuar sipas udhëzimeve të Hasan Zvizdiqit. Gjithashtu në trevën e Senicës ka ekzistuar edhe milicia mysliman me karaktere luftarake e komanduar nga Qamil Prashoviq.

-Në Pazarin e Ri me milicinë myslimane ka komanduar Biko Dresheviq (Bahri Dreshaj),, përderisa njësia speciale dhe njësia luftarake e trajnuar, operonte nën komandën e Xhemail Koniçaninit(Konica) .

Këto njësi milicie ishin ushtri fshatare, pa ndonjë platformë të përbashkët. Para se gjithash diçka që i lidhte para se gjithash ishte territori dhe mbrojtja e tij nga rreziku i mbrojtjes së shtëpive, familjet e tyre, adetet, zakonet, traditat, mënyra e jetesës dhe ndjenjat e njerëzve. Për fat të keq, këto njësi kanë dështuar të parandalojë masakrën e popullatës në Bihor dhe qarkun e Plevlës, në radhë të parë aksionet gjenocide çetnikët i kishin ndërmarrë në bashkëpunim me dhe përkrahje të italianëve. Por për këtë arsye popullin e vet arritën ta mbrojnë nga shfarosja çetnike në Novi Pazar, Senicë, Prijepole dhe Komoran, sepse në këto treva policia myslimane numerikisht ishte më e madhe dhe më mirë e armatosur. Njësoj mund të thuhet edhe për Plavë, Guci dhe Rozhajë.

M.Karoviq, për rolin dhe veprimin e këtyre formacioneve ushtarake shkruan: “E vërteta është se gjatë Luftës së Dytë Botërore, formacionet ushtarake myslimanë nuk kanë qenë në “anën e duhur”, sepse iu kanë ndihmuar nazifashistëve. E vetmja ushtri e pranuar në Jugosllavi, deri në fund të nëntorit 1943, ishte ushtria jugosllave me D.Mihailoviq. Pra, nëse myslimanët (boshnjakët dhe shqiptarët) do të donin të ishin në anën e koalicionit antifashist, kjo do të thotë se duhet luftuar në anën e çetnikëve. Politika pajtuese e Titos ndaj çetnikëve, duke filluar nga aleancat partizane-çetnike nga 1941 dhe themelimin e trupave vullnetare në vitin 1942, të përbëra nga fshatarë serbë, të cilët deri atëherë kishin qenë çetnikë, ishte shkas që myslimanët (boshnjakët dhe shqiptarët) mos t iu bashkohen lëvizjes partizane. E vetmja zgjidhje për mbrojtjen e fshatrave të banuara me shqiptarë dhe boshnjak nga bandat e mbrapshta dhe të pa përmbajtura çetnike ishte organizimi për vetë-mbrojtjen e tyre. Është e vërtetë se milicia myslimane është themeluar me qëllim të mbrojtjes së fshatrave të tyre, por nuk mund të thuhet së nuk ka pasur parregullsi të caktuara nga ana e tyre. Është e besueshme se të gjitha grupet e armatosura gjatë luftës kanë vrarë kundërshtarët tyre për të siguruar jetën e tyre në luftë për të mbijetuar. Megjithatë, është e rëndësishme të theksohet se milicia myslimane, e organizuar në formacione të vogla ushtarake, nuk ka pasur program ideologjik shfarosjen e të tjerëve. Në përgjithësi myslimanët (shqiptarët dhe boshnjakët I.A) nuk kanë pasur ndonjë program i cili ka paraparë shfarosjen e fqinjëve të tyre. As gjatë luftës, edhe pse ishin shkaktuar krime të shumta ndaj tyre, nuk ka ekzistua një ide e tillë. Pra, objektiv kryesor i formimit të formacioneve ushtarake ishte domosdoshmëria e organizimit për mbrojtjen e familjeve të tyre.”