Aqif Blyta, shembull i përfaqësimit të popullit në parlament!

Germia

Aqif Blyta, i lindur dhe rritur në Pazarin e Ri, u shkollua në Akademinë Ushtarake më të njohur të kohës, në atë të Manastirit, ku ishte shkolluar edhe Kemal Ataturku. Aktiviteti i tij politik ishte halë në sy të kundërshtarëve, përkatësisht shtetit serb. Madje atë nuk e donin as të gjallë.

Ismet Azizi

Për këtë flet fakti, që përgjatë një periudhe më të bujshme të aktivitetit të tij, ai u plagos pesë herë; tri herë të tjera ishte në shënjestër të atentatorëve të shtetit serb, por të cilave fatmirësisht u shpëtoi. Po ashtu, u arrestua pesë herë dhe ishte edhe i dënuar, por ai nuk u ndal në rrugëtimin e tij, duke mbetur kështu një ndër personalitet më të shquara të politikës shqiptare.

Blyta ishte njëri ndër udhëheqësit e Xhemijetit ( Bashkimi) partisë së vetme politike të kohës, e cila përfaqësonte shqiptarët në parlamentin e Mbretërisë Serbe-Kroate-Sllovene. Ishte fillimi i viteve të njëzeta të shekullit të kaluar, kur ushtaraku, intelektuali, nacionalisti, humanisti, e para se gjithash diplomati shqiptar, bashkë me Ferat Dragën dhe të tjerët, luftonin për të drejtat e shqiptarëve të trojeve të okupuar nga serbo-malazezët.

Derisa ishte ushtarak me qëndrim në Turqi, ku ishte shkolluar, përderisa tashmë kishte vendosur të kthehet në vendlindje, kolegëve të vet në prag të largimit iu kishte thënë: “Shkolla e burrnija s’na ka mungue askurrë na shqyptarvet të ardhun këtu në Stamboll. Por per mue, ajo çka i dhash Turqisë asht e mjaftueshme. Hije s’po me ka me mbush gjoksin me dekorata kur kufinin e Shqypnisë e kërcnon serbi e greku nat me natë. Po iki e po ju tham edhe ju që të hidhni dyfekët e turkut për me mbrojt votrat tona“.

Me t`u kthyer në Pazarin e Ri, ra në kontakt me anëtarët e Komitetit “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës”, dhe u kyç në politikë. Secili anëtar i “Bashkimit”, që ishte anëtar i ndonjë nënkomiteti të tij, në këtë rast edhe Aqif Blyta, njëherazi ishte edhe anëtar nderi i Komitetit të Kosovës.

Në fillim të karrierës së tij politike, sekretar dhe udhëheqës i Xhemijetit për Sanxhak, kur u zgjodh deputet në parlamentin jugosllav, Aqif Blyta, i plagosur dy herë në luftërat e mëparshme, mësohet t’i ketë thënë të shoqes: “Plagët e trupit qenkan shumë herë më të lehta se ato që bajnë dhimbjet. Por lypset mos me u dëshprue se dhimbja për vatanin kthehet kurdoherë në gëzim kur shef një rreze shprese”.

Ai me qëndrimin e vet, me porositë dhe shkrimet e botuara u kthye në një tribunë të lirë të mendimit të vendosur nacionalist.

Gazeta “Vreme” në dhjetor të viti 1923, shkruan: “Blyta ishte me përvojë dhe njohës i mirë i rrethanave. Paraqitja më e dalluar e tij në Parlament ishte më 6 dhjetor 1923 në një takim të Komitetit Financiar. Blyta, në fakt, edhe pse nuk ishte në rend të ditës, pra, që kishte të bënte me buxhetin për vitin e ardhshëm, e hapi temën e vrasjen dhe torturimin e shqiptarëve etnikë në Mitrovicë dhe Gjakovë, nga ana e autoriteteve policore gjatë zgjedhjeve komunale të mbajtura në gusht 1923. Ai kërkoi që autoritetet të rrisin përpjekjet e tyre për të gjetur dhe ndëshkuar autorët e krimit. Në këtë takim Blyta nuk ka votuar për buxhetin e ri, i cili nuk është miratuar, dhe Ministri i Financave, Milan Stojadinoviq ishte i detyruar të japë dorëheqjen. Blyta me këtë veprim, tërhoqi vëmendjen e opinionit politik. Rebelimi i tij gjatë fjalimit dha shenjë për rënien e shpejtë të qeverisë. Kështu që, qeveria ra dhe u shpallën zgjedhjet e reja”.

Qeveria e demokratëve tashmë në nëntor të 1924 humbi mbështetjen dhe u shpallën zgjedhje të reja parlamentare gjatë muajit shkurt të vitit 1925. Aqif Blyta kësaj here ishte kandidat i Xhemijetit për qarkun e Dezhevës (Pazarit të Ri) dhe Senicës. Megjithatë, forcimi Xhemijetit gjithnjë e më lirisht prononcimi i përfaqësuesve të tij dhe përafrimin me opozitën. Në të vërtetë Partisë Republikane Fshatare të kroatëve, në krye me Stjepan Radiç nuk i përshtatej Nikola Pashiqit.

Ai arriti që me mbështetjen e gjykatës, të organizon eliminimin e Xhemijetit nga skena politike jugosllave. Aqif Blyta dhe Ferat Draga etiketohen si persona që duhet të bënin presion policor në ta. Blyta vetëm gjatë periudhës nga 27 dhjetori të vitit 1924 deri më 6 shkurt të vitit 1925 arrestohet katër herë.

MojdajdzaAcifefendija_zps2cf18e89Aqif Blyta

Në ditën e zgjedhjeve, një grup i serbëve nga Pazari i Ri dhe komunat fqinje, mbështetës të radikalëve, me ndihmën e xhandarëve kishin maltretuar dhe rrahur rreth 200 myslimanë të shquar nga Pazari i Ri, për të parandaluar daljen në votime dhe të votojnë Aqif Blytën.

Në mesin e atyre që u rrahën ishte edhe babai i tij, Emin Blyta. Grupi ishte i armatosur me armë të ftohta dhe armë zjarri. Dhuna ka vazhduar edhe pas votimit, kur radikalët të udhëhequr nga shefi i qarkut Zhivko Shusiq, vranë tre banorë, dhe shumë të tjerë ishin maltretuar dhe grabitur. Blyta haptazi u kërcënua me vdekje.

Menjëherë pas zgjedhjeve filluan bastisjet në qarkun e Dezhevës (Pazarit të Ri) dhe Shtavicës (Tutinit) me pretekst kapjen e kaçakëve.

Në lidhje me ngjarjet e këtyre ditëve, gazeta “Politika“ e 27 janarit të vitit 1925, shkruan: “Blyta u arrestua për herë të parë më 27 dhjetor 1924, pa vendim paraprak të Asamblesë Kombëtare për heqjen e imunitetit parlamentar. Në të njëjtën ditë në mbrëmje ai u lirua në shtëpi, por i ishte marrë kartela e deputetit, e cila dëshmonte legjitimitetin parlamentar. Ai u arrestua përsëri më 15 janar 1925 në Pejë, gjatë përpjekjeve për të organizuar një takim të Xhemijetit. Ai u arrestua dhe ndalua për dy ditë me akuzën për përpjekje për organizimin e çlirimit të Ferat Dragës, i cili ishte në burg e Mitrovicës. Disa ditë më vonë në Gjakovë, Blyta, pas një atentati të dështuar ndaj tij, u arrestua përsëri. Së fundi, para zgjedhjeve më 6 shkurt është marrë edhe një herë në burg, këtë herë në Pazarin e Ri. Edhe pse kandidat parlamentar, Blyta zgjedhjet parlamentare të vitit 1925 i kaloi në burg…”.

Për likuidimin e Aqif Blytës, pushteti serb organizoi edhe dy atentate tjera, që për fat, kishin dështuar.

Zgjedhjet e viti 1925, në Pazarin e Ri dhe rrethinës kaluan, duke ushtruar dhunë të madhe ndaj shqiptarëve dhe boshnjakëve, dhe nga një numër i madh i parregullsive. Rezultatet e publikuara të Xhemijetit, për shkak të presionit nga ekzekutivi, nuk mund të konsiderohen si reale. Mandej, jo vetëm se nuk u publikuan numri i votave të fituara të Blytës, por, as nuk dihej numri i votave të fituara.

Me shpërbërjen e Xhemijetit u ndërpre edhe karriera politike e Aqif Blytës për vite me radhë, sepse veprimtaria e mëtejshme e tij publike nxiste presion të ri të pushtetit serb. Megjithatë, Blyta mbeti politikani më me ndikim në Pazarin e Ri dhe rrethinën e tij.

Blyta ishte personalitet i respektuar, tregtar dhe politikan në zë, por edhe simbol i rezistencës ndaj Beogradit dhe shtetit, të cilin populli i Sanxhakut kurrë nuk e pranoi plotësisht.

Nga ana tjetër, Blyta kuptoi avantazhet e pozicionit të tij. Ai rreth vetes mblodhi ish-anëtarët e Xhemijetit, me të cilët mbante kontakte. Duke “orientuar” votat e popullatës ushtroi ndikim të madh në zgjedhjen e udhëheqësve politikë serbë të qarkut të Dezhevës dhe Shtavicës. Ndikimi i tij është ndjerë në të gjitha zgjedhjet në këtë rajon deri në vitin 1941.

Dy javë pas sulmit të Beogradit, pasi kishte kapitulluar Jugosllavia, gjermanët mbërrijnë në N. Pazar. Aqif Blyta, me urtësinë e tij karakteristike, por edhe me ndjenjë nacionaliste, e njofton komandën e lartë gjermane me historinë e viseve shqiptare, të ndarë padrejtësisht nga shteti amë në vitin 1913. Për shkak se kjo pjesë e trojeve shqiptare i takonte zonës gjermane; dhe me këtë si pjesë e Serbisë, Aqifi organizoi mbledhjen solemne të Komitetit Shqiptar, në të cilën u mor vendimi që kjo trevë të ndahet nga Serbia dhe t`i bashkëngjitet Shqipërisë.

Dinamika e zhvillimeve luftarake diktuan që në vjeshtën e vitit 1942 trupat gjermane u detyruan të lënë Pazarin. Duke përfituar nga kjo tërheqje, çetnikët serbë organizohen për pushtimin e qytetit. Por, Aqif Blyta bëri përgatitjet dhe nën komandë të tij tashmë ishin mbi njëmijë njerëz të armatosur, në mbrojtje të Pazarit të Ri.

Lidhjet e shkëlqyera me shqiptarët e Kosovës, të cilët mbanin pothuajse të gjithë pushtetin në Kosovë. Falë ndikimit të tij me udhëheqësit shqiptarë, Aqifi me kohë armatos pazarasit.

Periudha më e ndritshme, njëherit edhe periudha më e vështirë e Pazarit të Ri dhe rrethinës është ajo nga 2 tetori deri më 7 dhjetor të vitit 1941, nga rreziku permanent nga çetnikët. Për t`i bërë ballë kësaj situate Aqif Blyta kërkoi ndihmë nga Kosova, Peshteri dhe viset tjera. Grupi i parë prej 500 shqiptarëve nga Kosova arritën në Pazar më 7 tetor 1941, pas përfundimit të suksesshëm të luftës së Kolashinit, kundër forcave çetnike.

Më 10 nëntor të vitit 1941, në Pazar të Ri kanë qenë më tepër se 3.150 njerëz të armatosur. Këto forca ishin të komanduara nga 12 bajraktarë kosovarë. Në mbrojtje të Pazarit kanë rënë heroikisht 144 kosovarë. Çetnikët, në bashkëpunim edhe me partizanët gjatë 65 ditëve organizuan tre sulme në Pazarin e Ri. Ndërsa, forcat e udhëhequra nga Blyta kanë organizuar një kundërsulm të rreptë ndaj Rashkës. Mirëpo, strehimi i 420 serbëve të qytetit, Aqifi tregoi se është humanist.

Ndër punët më të lavdërueshme gjatë kësaj kohe në këtë trevë, ishte hapja e shkollës fillore shqipe “Naim Frashëri”, në Pazar të Ri, e cila u hap me dëshirën e popullatës dhe me ndihmën e drejtpërdrejtë të Bedri Gjinajt e Aqif Blytës. Por, Blyta me kënaqësi përkrahu idetë e miqve të vet për organizimin e Lidhjes së Dytë të Prizrenit, në të cilën organizatë politike kishte marrë detyrën e nënkryetarit.

Ndërkohë, fitoret e aleatëve në frontet kryesore të luftës, krahas tyre edhe sukseset e ushtrive partizane jugosllave, shqiptare dhe greke i detyruan trupat gjermane të fillonin tërheqjen nga Ballkani.

Pas depërtimit të forcave partizane jugosllave në ato treva, Aqif Blyta iu dorëzua organeve të pushtetit partizan në Gjakovë, të cilët e çuan në Pazarin e Ri. Mbas torturave mizore, bashkë me bashkëpunëtorin e tij më të ngushtë Ahmet Dacin publikisht para masës popullore të sjellë me dhunë ekzekutohet në Haxhet (lagje e sotme e Pazarit të Ri) më 21 janar 1945 nga OZN-a jugosllave.

Aqif Blyta ka qenë një ndër personalitetet më të shquara të kohës së tij, gjatë Mbretërisë Jugosllave dhe gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Aqif Blyta ka ditë të shfrytëzojë supremacinë e nazistëve gjermanë, të cilët kontrollonin një pjesë të rëndësishme të tokave shqiptare, për t’u lidhur me kundërshtarin më të fuqishëm ndaj shtetit të Serbisë, por jo se e pëlqente doktrinën naziste si qëllim më vete. Ideologjinë fashiste nuk e ka shprehur në asnjë shkrim e në asnjë tubim. Gjatë takimeve me palën serbe është treguar shumë parimor. Ndonëse ka pasur poste kyçe, asnjëherë nuk ka ushqyer ndjenja shoviniste dhe hakmarrëse ndaj popullatës civile serbe. Aqif Blyta ka qenë antikomunist, por asnjëherë nuk ka ushqyer armiqësitë e skajshme ndaj njerëzve që kanë përqafuar atë ideologji.

 

JANARI I VITIT 1945 I KOBSHËM EDHE PËR MËSUESIN E DEVOTSHËM BEDRI GJINAJ

Shaban Palluzha: “ Djemt me shkollë shohin me katër sy”
Bedri Gjinaj është një ndër figurat më të njohura dhe më të nderuara të arsimit në Mitrovicë, në Kosovë, Sanxhak e më gjerë. Bën pjesë në radhën e veprimtarëve më të shquar të arsimit shqiptar, i cili punoi me kompetencë e devocion për zhvillimin e arsimit gjatë Luftës së Dytë Botërore në Prefekturën e Mitrovicës (Mitrovicë, Vushtrri, Podujevë e Pazar i Ri). Kontribut çëtjes shqiptare i dha edhe sa ishte në pozitën e sekretarit të Lidhjes së Dytë të Prizrenit. Ishte një ndër burrat e intelektualët më të mëdhenj dhe më të nderuar të kombit.

Vazhdoni leximin

Si u mbrojt Sanxhaku nga çetnikët !

Lufta për mbrojtjen e Pazarit është shprehje e cila ka hyrë në histori si shprehje treguese për zhvillimet luftarake në Sanxhakun e quajtur Sanxhaku i Novi Pazarit, i cili deri në vitin 1912, kur u okupua nga Serbia, ishte pjesë përbërëse e Vilajetit të Kosovës. Në këto luftime, për qëllim të mbrojtjes së popullatës së rrezikuar nga shfarosja, janë ballafaquar trupat e armatosura shqiptare me ato sllave.

Vazhdoni leximin

POPULLSIA E SANXHAKUT SIPAS AUTORËVE TË HUAJ DHE VENDAS

Në librin e tij, studimet antropogjeografike Cvijiqi trajton aspekte të rëndësishme të marrëdhënieve mes mjedisit gjeografik me kulturën shpirtërore dhe materiale në Ballkan. Cvijiqi, në vitin 1905 ishte një nga profesorët e parë të rregullt në Universitetin e Beogradit. Në analizat shkencore që u ka bërë veprave të Cvijiq-it, Akademik H. Islami vjen në përfundim se Cvijiqi “ishte joobjektiv, spekulant e konstruktues i konkluzioneve, shovinist e hegjemon”.

Vazhdoni leximin

Cvijiqi: Peshterasit janë të gjatë, vitalë, elastikë, syshqiponjë, të sojit të bukur…!

Në librin e tij, studimet antropogjeografike Cvijiqi trajton aspekte të rëndësishme të marrëdhënieve mes mjedisit gjeografik me kulturën shpirtërore dhe materiale në Ballkan. Cvijiqi, në vitin 1905 ishte një nga profesorët e parë të rregullt në Universitetin e Beogradit. Në analizat shkencore që u ka bërë veprave të Cvijiq-it, Akademik H. Islami vjen në përfundim se Cvijiqi “ishte joobjektiv, spekulant e konstruktues i konkluzioneve, shovinist e hegjemon”.

Vazhdoni leximin

Represaliet, dhuna, shpërngulja, analfabetizmi faktorë të “lodhjes” së identitetit të shqiptarëve të Peshterit!

Andrijin-han-Andrijevica-602x306

Duke shfletuar literaturën që posedoj për Sanxhakun më ra në sy një e vërtetë e hidhur: ”Njerëzit me ndikim, posaçërisht në Peshter edhe pas vitit 1935, kanë lutur deputetin e vet që në trevat e tyre mos të hapen shkolla”. Si është e mundur një gjë e tillë, do të mundohem ta shtjelloj më tutje.

Ismet Azizi

Deri në vitin e 90-të, të shekullit të kaluar, gjegjësisht fundi i viteve të 80-ta nuk kishim analiza , shkrime apo të dhëna  të sakta për gjendjen dhe pozitën e popullsisë së Sanxhakut. Ndër të parët dhe të  rrallët është autori Avdia Avdiq i cili u mor me këtë problematikë. Për pozitën arsimore kulturore të Sanxhakut shkruan: “Për arsimin, kulturën dhe shëndetësinë në periudhën në mes të dy luftërave botërore, është vështirë të flitet, posaçërisht nga viti 1930, kur popullata, pothuajse tërësisht ishte analfabete. Sanxhaku ka qenë i njohur jo vetëm si regjion i pazhvilluar, por edhe për prapambeturinë në aspektin kulturor dhe arsimor. Në fshatra të tëra nuk ka pasur kush të lexoj ndonjë shkresë, gjë që është dashur të udhëtohet me orë të tëra. Novi Pazari ishte qyteti në Jugosllavinë e atëhershme më i madhi për nga numri i analfabetëve. Sipas regjistrimit të popullsisë  së viti 1931, 60% e meshkujve  të moshës mbi 10 vjeçare ishte e pa arsimuar, ndërsa ajo e femrave ishte 92 %. Duhet pasur parasysh se bëhet fjalë për  popullsinë e përgjithshme, mandej pjesa dërmuese ishte popullsi fshatare, e cila jetonte në kushte të vështira jetësore. Dallimet e mëdha ishin edhe sipas qyteteve, p sh qarku i Tutinit, që ishte i banuar vetëm me shqiptarë dhe boshnjak, shkalla e analfabetizmit ishte  89%, ndërsa ai i Novi Pazarit 63%. Posaçërisht në Sanxhak, popullsia Muslimane (shqiptare dhe boshnjake I.A) ishte e tëra pothuajse analfabete. Ishte rast i rrallë që ndonjë Myslimane të jetë e arsimuar. Faktorët për një gjendje të tillë ishin të shumëfishtë, nga ato: popullsia myslimane nuk ka dashtë ta pranoj shkrim- leximin serb, ndërsa të vetin nuk e kishin,e deri te ajo se myslimanëve nuk ju duhet, posaçërisht femrave myslimane.”

Në tërë Sanxhakun në vitin 1931 kanë ekzistuar vetëm 127 shkolla fillore katër klasash. Shkollat kryesisht ishin në vendbanime të mëdha, ndërsa fshatrat  malore, sidomos ato të Peshterit ishin pothuajse pa asnjë shkollë, pra popullata ishte fare e paarsimuar.

Në tërë Sanxhakun në këtë kohë ekzistonin vetëm katër gjimnaze katërvjeçare ( gjimnazi i ulët) të cilat herë punonin herë ishin të mbyllur. Novi Pazari kishte vetëm një gjimnaz të ulët tetë vjeçar, edhe kjo shkollë mandej zbret në atë katërvjeçar, kështu që vetëm Plevle kishte një gjimnaz  tetëvjeçar në tërë Sanxhakun.

Shkollat ishin me numër të vogël të nxënësve. Prindërit nuk ishin të interesuar t’i shkollojnë fëmijët e tyre, rezistonin t’i dërgojnë fëmijët në shkolla. Posaçërisht popullsia Myslimane, sidomos  vajzat nuk ishin të interesuar t’i arsimonin. Pushtetarëve të atëhershëm kjo iu shkonte për shtati. Njerëzit me ndikim, posaçërisht në Peshter edhe pas vitit 1935, e kanë lutur deputetin e vet që në trevat e tyre mos të hapen shkolla. Si është e mundur një gjë e tillë?!Do të mundohem ta shtjelloj më tutje.

“Sa më larg shkollave dhe kulturës, për popullin ishte më mirë”; ishte bindja e popullatës Muslimane. Por edhe ata që kishin dëshirë që t’i shkollonin fëmijët e tyre nuk kanë pasur mundësi materiale.

Mali i Zi hyri në Luftën ballkanike me qëllim të zgjerimit të territorit të saj në drejtim të Shqipërisë dhe në verilindje drejt Sanxhakut.

Gjatë marrjes së territoreve, pothuajse pa luftë forcat malazeze kudo që hynin vrisnin dhe plaçkitnin popullsinë e pafajshme, Pasi që kishin marrë trevën e Bjelopoles, atë të Kolashinit, Plavën dhe Gucinë, Ushtria malazeze  niset drejt Senicës së cilës i shkon në ndihmë edhe ushtria serbe, të cilët kah do që shkonin vrisnin dhe plaçkitnin popullsinë vendase myslimane. Në tetor të viti 1912 shumë shpejt dorëzohet dhe bie në duart e ushtrisë serbo- malazeze. Udhëheqësi famëkeq ushtarak malazez Boshkoviq, menjëherë të nesërmen fillon çarmatosjen e popullsisë së Peshterit. Boshkovi vendoset në fshatin Doliq të banuar krejtësisht me popullsi shqiptare ku edhe kishte kaluar natën. Doliqin dhe disa fshatra të Peshterit  i çarmatosin dhe i mblodhën mbi 100 pushkë, Një raport i oficerëve flet; “të gjitha fshatrat i kanë sjellë armët, përveç një pjese e cila nuk i solli me dëshirë, por rezistuan dhe filluan të gjuajnë  mbi ushtrinë tonë gjë që qëndruam burrërisht dhe i vranë dhe i therën 20 kriminel. Në këtë raport nuk flitet për humbjen që kishin pësuar nga luftëtarët të cilët mbronin vendin e tyre nga ushtria okupatore serbo-malazeze. Në raport nuk janë raportuar të dhëna për njësitë ushtarake të këtij batalioni a kanë pasur humbje  apo të plagosur në radhët e tyre.

Për shpërnguljen e popullsisë së Sanxhakut, gjatë kësaj periudhe, po veçojmë autorin Safet Banxhoviq i cili shkruan; “Pas Luftërave ballkanike fillon me të madhe  shpërngulja e popullsisë për Turqi, para se gjithash pas krimeve të kryera ndaj tyre. Posaçërisht pas qërimit të hesapeve të ushtrisë malazeze me peshterasit, të përcjellë me plaçkitje, ndezjen e shtëpive. Për rrugën e “Stambollit”, e cila për shekuj ishte e rëndësisë jetësore, letrari Qamil Sijariq më vonë kishte shkruar; “E shkretë është ajo rrugë nëpër fushën e Peshterit, dhe s’ka në te hane, s’janë më hanxhinjtë dhe kafexhinjtë, nuk është askush sepse njerëzit kanë shkuar në anët tjera, të duket se me ta ka shkuar edhe uji- nuk është askush. Kalldërma e dikurshme, kush e di se e kujt, mund të jetë, e romakëve, ndoshta e turqve, e ka mbuluar barishta. Barishta më së shumti paraqitet aty ku dikur ishin hanet. Pavarësisht sa qëndron, apo sa do të presësh asgjë nuk do të dëgjosh, Kanë shkuar nga këtu kaherë karvanët,”

Krimet që i ka bërë Boshko Boshkoviq, sipas autorit Avdiq, flet Skender Turkoviq ( Hukiq) 90 vjeçar.

“Ende pa mbërri ushtria malazeze  iu kishte  shkuar porosia, me të cilën  i këshillohet popullatës myslimane që para se të vjen ushtria malazeze, në shtëpitë e tyre duhet të vendosen flamujt e bardhë, të gjithë t’i dorëzojnë armët, dhe municionin, të gjithë të qëndrojnë në shtëpitë e tyre dhe të jenë të gatshëm t’ju përgjigjen ftesës se ushtrisë. Kush nuk iu përgjigjet këtyre urdhrave do të jetë i vrarë. Objekti për mbledhjen e armëve ishte caktuar shtëpia  më e madhe në qendër te fshatit Doliq. Shtëpia kishte 11 dhoma, dhe në te jetonin  6 familje. me 70 anëtarë

Një dhomë ishte caktuar për Boshkoviqin dhe një dhomë për palët të cilat i sillte patrulla. Kjo dhomë shërbente për  rrahjen dhe maltretimin, para se t’i ekzekutonin apo i zhduknin. Me vendosjen e Boshkoviqit me ushtrinë e tij fillon edhe plaçkitja e popullsisë, duke ua marrë kafshët për sigurimin e ushqimit. Mbledhja e armëve ishte pretekst për të ua bërë jetën të padurueshme, me qëllim përfundimtar pastrimin etnik të kësaj treve. Likuidimet kryesisht bëheshin me vrasje nga pushkët por edhe me therje. Gjithsejtë në Doliq janë vrarë 20 persona pa asnjë arsye. Boshkoviq i pakënaqur me këtë vazhdoi të njëjtën gjë ta bëjë edhe nëpër fshatrat tjera. Në Ugëll vritet Hajredin Qelaj, me dy djemtë e tij, mandej Hidë Uglanini, me gjithë vëllain e tij, hoxhë Omeri të cilin e vrasin me 13 plumba dhe e therrën në fyt. Përveç vrasjes së 5 njerëzve të pafajshëm ata i djegin dy shtëpi, dhe hanin e Hajredin Qelës. Para se ta bëjnë këtë, kishin plaçkitur 700 krerë dele, dhe 60 krerë gjedhe. Të njëjtën ditë në Boroshticë kanë vrarë Tahir Shkrelin, ndërsa në Tuzinje 10 persona të pafajshëm, mandej edhe tre në fshatin Bërniq. Në vazhdim e sipër në fshatin Rasno vrasin një person të Rshlaninëve. Qëllimi i tyre ishte të vazhdojnë edhe në fshatrat tjera, por për shkak se nga ana tjetër kishte hyrë ushtria serbe ata u desh të kthehen mbrapa. Edhe në kthim e sipër,  nëpër vendbanimet tjera ata vazhduan ta bëjnë të njëjtën gjë. Ushtria malazeze, vazhdoi me plaçkitje e vrasje kudo që iu jepej rasti. Kur kishin arritur në Koritë( në anën malazeze të Sanxhakut I. A) atje tashmë armët ishin mbledhur për t’i dorëzuar, dhe ishin vendosur në vend të caktuar, flamujt e bardhë ishin vendosur në të gjitha shtëpitë e Muslimanëve. Të gjitha masat e ndërmarra, si në Doliq, e edhe në fshatrat tjera, nuk i shpëtoi Myslimanët. Me metoda perfide,  marrjen e armëve, mandej,  therjen e popullit duarthatë, u përdorën edhe këtu sikurse edhe në pjesët tjera të Sanxhakut disa vite më vonë. Në këtë fshat ushtarët malazezë vranë 58 meshkuj dhe dy gra, të cilat u munduan t’i mbrojnë bashkëshortët e tyre. U vra edhe një djalosh 18 vjeçar, të vetmin që kishin prindërit, të cilin e ëma ashtu të sëmur, i shtrirë në shtrat, e mbështjell për kraharorin e sajë, duke ju lutur që ta kursejnë. Nuk kishin mëshirë. Së pari ia prenë hundën, mandej para syve të së ëmës e vrasin. Ishte tragjedi e madhe e këtij fshati dhe për banorët e tij të cilët ishin viktimë e një politike brutale.”

Çarmatosja e popullsisë ka vazhduar të zbatohet edhe pas Luftës së parë botërore gjegjësisht  menjëherë pas ri okupimit nga ushtria e Mbretërisë Serbe.

Çarmatimi ka pasur të bëjë me faktin se kjo popullsi konsiderohej e disponuar armiqësisht ndaj “gjendjes së re”. Citon Hakif Bajrami, autorët serb B. Hrabak, D Jankoviq,

Se deri kur kishte arritur në planin e çarmatimit, mësojmë nga raporti rezervë i Shtabit të Divizionit të Kosovës, dërguar Komandës së Armatës së tretë në Shkup, ku thuhet se kjo komandë ka forca të mjaftueshme për çarmatimin dhe se plani tejet sekret numër 172 mund të realizohet, por vetëm duke përdorur dhunën ndaj popullsisë shqiptare.

Për çështje të çarmatimit, në qarkun e Rashkës ishin në dispozicion dy qeta të Regjimentit 24 me 2 topa malesh në Novi Pazar dhe një çetë në Tutin.

Për shpërnguljen e shqiptarëve shkruanin të gjitha gazetat, duke “shpresuar” se për një kohë të shkurtër do të shpërngulen të gjithë shqiptarët. Askush nuk mundi t’i mohojë vuajtjet e fshatarëve të Mitrovicës, të Vuçitërnës, të Sanxhakut dhe të Prishtinës që kanë pësuar mjaft dhe nuk mund të qëndrojnë më, por po i lëshojnë tokat e veta dhe po shpërngulen prej atdheut të vet. Shumë familje kanë lënë krejt çka kanë pasur dhe janë nisur për Turqi. Po dihet se shumë familje tani (1923) gjenden në Bullgari, pa të holla dhe jeta e tyre është në rrezik prej sëmundjeve të ndryshme. Për shpërngulje  po përdoret propaganda e dhunës,  Terrori ishte bërë dukuri sidomos në prag të zgjedhjeve.

Ali Hadri, në veprën e tij LNÇ në Kosovë  shkruante: “Kur merret parasysh pozita dhe gjendja jashtëzakonisht e vështirë e shqiptarëve në Jugosllavinë borgjeze, është plotësisht i arsyeshëm mendimi se Jugosllavia e vjetër për shqiptarët ishte burg me plot kuptimin e plotë të fjalës”.

Lidhur me propagandën serbomadhe nëpërmjet “Klubit Kulturor Serb”, studimi që shkaktoi më së tepërmi erupcion për të ndërmarrë aksione brutale e që ka qenë ndër akuzat më të rënda  kundër  pushtetit që nuk u “interesua” më tepër për të asimiluar popullsinë shqiptare, është padyshim  elaborati i Dr. Vasa Çubriloviqit “Shpërngulja e shqiptarëve”. Problemi i shqiptuarve theksoi ai, nuk lindi sot, ai, sipas tij, ishte problem edhe në mesjetë. Praninë e shqiptarëve Çubriloviqi e quante “Pykë të rrezikshme”. Mprehtësinë e kësaj “pyke”, sipas tij, Qeveria Serbe e kishte dobësuar qysh nga Kryengritja e Parë  serbe. Për të pasur efekt pozitiv  theksonte ai, duhet krijuar psikoza të nevojshme në këto forma: Është e njohur se masa shqiptare bie shumë vështirë nën ndikim dhe bindjet e veta i ruan me fanatizëm. Për këtë, në mes masave tjera  kësaj radhe po përmendim  atë që preferon në lidhje me ligjet të cilat duhet shfrytëzuar deri në maksimum, në mënyrë që t’i vështirësohet jeta  me anë të gjobave, burgimeve, me përdorimin e të gjitha formave të paskrupullt të të gjitha metodave policore me dënime në masë. Mandej e masave  sanitare., rrëzimi i mureve dhe gardhiqeve, masave në veterinari, rritjen e tatimeve. Shqiptari duhet të ngacmohet, duke ua prishur varret, ndalimin e martesave, duhet detyruar që fëmijët të dërgohen në shkollat, ku fyhej  elementi shqiptar dhe ku nxënësve u thuhej se shqiptarët janë njerëz me bishta.

Hajredin Hoxha, në punimin e tij në “Përparimi”; Politika e eliminimit të shqiptarëve nga trualli i Jugosllavisë së vjetër, shkruan: “Gjoka Perina po ashtu ishte i mendimit si Çubriloviqi. Ky titullar i lidhjes së Kooperativave Serbe në Sarajevë thekson praninë e shqiptarëve në regjionin e Sanxhakut. Sipas Perinës popullsia shqiptare në Kosovë paraqet rrezik të përhershëm. Perina preferon shpërnguljen  ciklike brenda për brenda shtetit, sepse ndërrimi i këtillë i popullsisë nuk kërkon mjete të mëdha, ndërsa popullsia shqiptare , thotë ai, do të humbasë në detin e gjerë sllav.”

Represaliet, dhuna, shpërngulja, vazhdoi gjatë Luftës së I- rë, pas , në mes të Dy Luftërave Botërore, por edhe pas luftës së Dytë Botërore. Aksioni i mbledhjes së armëve në Jugosllavinë e Titos, nuk i kurseu sa shqiptarët e Peshterit. Peshterasit ishin therë në sy edhe gjatë  pushtetit të Sllobodan Millosheviqit. Peshterasit vazhdojnë të jenë element i padëshiruar edhe sot e kësaj dite, pavarësisht ndryshimeve të qeverive në Serbi.

Ishin këto vetëm disa të dhëna të cilat dëshmojnë për të kaluarën e hidhur të popullsisë së Sanxhakut me theks të veçantë të peshterasve. Dhe, nga kjo mund të konkludojmë se shqiptarëve të Peshterit, rreziku më i madh iu kanosej nga asimilimi, ishte pikërisht ndjekja e shkollimit në shkollat serbe, çka, që deri diku edhe u dëshmua. Shqiptarët e Peshterit kurrë nuk iu nënshtruan  pushtimit serbo- malazez. Ata ruajtën fenë, doket, zakonet, mënyrën e jetesës, por, në masë të madhe e humbën gjuhën shqipe.

http://www.xlpress.tv/represaliet-d…
http://gazetaimpakt.com/represaliet…
http://www.botasot.info/historia-la…
http://2lonline.com/represaliet-dhu…
https://www.rajonipress.com/shfleto…
http://gazetainfopress.com/historia…
https://www.tetovasot.com/2017/06/r…
http://gazetaliria.com/represaliet-…
http://www.kryelajmi.com/2017/06/15…
http://www.ekonomia-ks.com/?page=1%…
http://www.njekomb.com/?p=11378
http://www.radiokosovaelire.com/ism…
http://ina-online.net/shqiptaret-e-…
https://prizrenpost.com/al/represal…
http://shqiperiaebashkuar.al/2017/0…
https://www.infoshqip.com/shqiptare…

Sipas Mita Rakiqit, Kurshumlia ishte vend shqiptar

Se Toplica e Jabllanica kanë qenë banuara me shumicë shqiptare, për çudi gjejmë fakte dhe të dhëna të duhura edhe të disa autorëve serbë.

Me përfundimin e luftës ruso-turke 1876-1878, gjegjësisht edhe dëbimin e shqiptarëve nga Toplica e Jabllanica dhe viset tjera të trevave të banuara me shqiptar, kryeshefi i repartit operativ pranë komandës qendrore të Ushtrisë serbe, gjenerali Kosta Protiq – shtabi i të cilit ishte në Nish – i mori disa hapa me qëllim të njohjes gjegjësisht hulumtimit sa më të mirët trevave sipas tij të “çliruara” nga Perandoria Osmane. Ndërkohë, ai caktoi disa personalitete për të hulumtuar gjendjen agrare-juridike, atë monumentale të arkitekturës, mandej shëndetësinë, arsimin dhe çështjet tjera. Generali Protiq e caktoi edhe Mita Rakiqin të hulumtonte gjendjen e përmendoreve të letërsisë së vjetër serbe dhe për këtë të përpiloi raporte zyrtare. Për këtë detyrë ai ishte shumë i përshtatshëm.

Mita Rakiq jetoi shkurt, por megjithatë arriti që në disa vazhdime të shkruaj veprën “Putovanje po novoj Srbiji (1878 dhe 1880)” (Udhëtimi nëpër Serbinë e Re).

Në vazhdim po japim vetëm disa pjesë ku ai përmend shqiptarët si popullatë me shumicë, e cila ka banuar viset e Toplicës dhe Jabllanicës.

“Kurshumlia ka qenë çerdhe shqiptare; në të ka jetuar dhe sunduar vet shqiptari i pastër. Këtu kanë jetuar më të tmerrshmit, thënë të drejtën, të pavarur”, ka thënëai.

Se shqiptarët kanë dominuar në çdo aspekt, ai shkruan: “Të gjithë udhëtarët, si dhe vet Han, i cili në rrugën e tij gjithkund me nderime të larta është pritur dhe përcjell, dinë të flasin rrjedhshëm për frikën nga ta [shqiptarët] ( Hahn. Reise von Belgrad, nach Selonik, f. 22). Ndërsa, sa kanë qenë të fortë dhe arbitrarë, mund të gjykohet edhe në bazë të Mithad Pashës i cili ka qenë i detyruar të nxjerr Ushtrinë dhe topat, mandej, përgjatë grykës së banjës, të presë rrugën përgjatë lumit Llap drejt Prishtinës dhe përsëri, me këtë rast, arnautët (shqiptarët), thuhet se ia kanë shkatërruar tërë njësinë ushtarake. Në të vërtetë, arnautët kanë qenë të detyruar të jenë të dhunshëm: fisi i tyre ka qenë i vendosur përgjatë tërë Toplicës – mund të thuhet në tërë anën jugore të Jastrepqevës, deri te kufiri ynë, ndërsa ana e djathtë e Toplicës, nën Petrovo Gorë, ka qenë tërësisht e banuar me shqiptarë”.

Edhe pse mundohet ta përshkruajë periudhën e para-Nemanjiqëve dhe për të dhënë argumente se shqiptarët nuk janë autoktonë, pa dashje ai jep një argument që tregon të vërtetën. Në mes tjerash duke përshkruar natyrën e këtij vendbanimi shkruan: “ Në anën e majtë të rrugës, bluan një mulli në jazin e lumit Banjska; pak më lart këtij mulliri, në tarracë, dikur ka ekzistuar një han [bujtinë] në të cilin njëherë Sh. Sava, kur kishte udhëtuar, kishte kaluar natën. Në mesin e punëtorëve të hanit ishte dhe një person i cili këndonte bukur, i cili ishte shqiptar. Në skajin verilindor të tarracës, në të cilën është çarshia e tashme, ka qenë, siç thuhet, njëfarë kishe ‘latine’”.

Emri i Kurshumlisë, sipas autorit, rrjedh nga Kisha e cila, siç thuhet, ka qenë e mbuluar me plumb të cilin shqiptarët – nuk dihet se në cilën kohë – e kanë zhvesh dhe nga kjo kohë ky vendbanim ka marrë emrin Kurshumli (Kurshumli do të thotë plumb). Këtë histori e kishte dëgjuar edhe Hani Hahn. Reise von Belgrad, nach Selonik, p. 22), e të njëjtën e përmend edhe M. S . Millojeviq (Putopis po staroj (pravoj) Srbiji, I, 118).

Në ‘srezin’ e Kurshumlisë, autori thotë se kur kanë hy trupat ushtarake serbe kanë numëruar 127 fshatra, nga të cilat janë krijuar gjashtë komuna. Shtëpitë serbe kanë qenë 572, turke 1956, ndërsa shqiptare “nuk i dimë as sa kanë qenë” (sepse me hyrjen e ushtrisë serbe janë dëbuar – vërejtja e autorit, I. A.). Janë 2732 meshkuj dhe 2485 femra, kurse serbë janë 4217.

Për gjendjen në qytetin e Kurshumlisë, ai jep këto të dhëna: “Ndërsa, në qytet, Kurshumli, përveç ushtarëve tanë, absolutisht nuk ka asnjë banorë të vetëm”.

Edhe pse literatura serbe ka manipuluar gjatë gjithë ekzistimit të saj, megjithatë aty-këtu hasim në të dhëna, për fat të mirë tonin, ku mund të gjejmë të dhëna faktografike të cilat dëshmojnë për autoktoninë e shqiptarëve edhe në këto vise herët të spastruara nga ushtritë serbe. Andaj, na mbetet që në vazhdimësi të hulumtojmë. E vërteta duhet të dalë në shesh herë do kurdo.

Serbizimi në trojet shqiptare, përmes “hoxhallarëve” serbë e rusë

Si erdhi deri te hapja e shkollës serbe, në të cilën emri “Medrese” në mënyrë më djallëzore përdoret për mashtrimin e popujve joserbë, mbi të gjitha shqiptarëve jashtë Kosovës së sotme?

Ismet Azizi

Kur në vitin 1912, Serbia e okupoi Kosovën dhe Sanxhakun, autoritetet e atëhershme serbe morën qëndrim se shkollimi i popujve tjerë (joserbë) është në kundërshtim me interesat e politikës shtetërore serbe. Derisa ne aspektin politik dhe edukativ te jene në nivelin që ishin, lehtë mund të manipulohet me ta.

Tendenca serbe që popujt e shtypur të mbahen sa më gjatë në nivel të ulët të arsimit, është aplikuar ndaj shqiptarëve si model i “suksesshëm”. Ky model është zbatuar për popullatën e Sanxhakut (boshnjakët e sotshëm).

Rreth vitit 1920, struktura qeverisëse serbe erdhi në përfundim se një politikë e tillë nuk e siguron stabilitetin e regjimit shtetëror, por i thellon konfliktet në mes të shqiptarëve, sanxhaklinjëve (boshnjakëve të sotëm) dhe turqve të nënshtruar në njërën anë, dhe serbëve në pushtet. Pastaj, sundimtarët serbë kuptojnë se një situatë e tillë bie në kundërshtim me mendimin kombëtar serb i cili ishte i bazuar në faktin se serbizimi i boshnjakëve, sidomos i sanxhaklinjëve, më shpejtë arrihet nëpërmjet shkollimit.

Gjeografi dhe etnografi serb, Jovan Cvijiq, ka publikuar studime dhe libra të shumtë për të shpjeguar se si duhet ‘t’i konvertojmë të tjerët në serbë. Jefto Dedijer, pasuesi i Cvijiqit (babai i biografit të Titos, Vladimiririt dhe Stevanit), më pas botoi librin “Serbia e re” ku flitet për shqiptarët, boshnjakët, turqit etj. Autori thotë: “Ne këta do t’i shndërrojmë në serbë, por jo me ‘qytek’, por nëpërmjet shkollimit dhe me mjete të tjera”.

Qeveria e Mbretërisë Jugosllave, Shkupin e kishte shpallur qendër të “trevave jugore serbe” ose në “Banovinës së Vardarit” në kuptimin administrativ. Prandaj, këtu ishin vendosur një numër i madh i institucioneve civile e ushtarake jugosllave, siç ishin: udhëheqja e Banovinës në krye me Banin, Qendra për Realizimin e Reformës Agrare, ministritë rajonale, si ajo e Arsimit, e Fesë, e Drejtësisë, Policisë, Bujqësisë, si dhe Komanda e Tretë e Armatës.

Në këtë kohë, në regjimin serb mbizotëronte pikëpamja se ka nevojë për të gjetur forma të reja për t’i përfituar folësit sllavë, në mënyrë që fëmijët e tyre t’i dërgojnë në shkolla, në të cilat, besimtarët myslimanë të Sanxhakut dhe ata të Kosovës, nuk kishin besim. Për këtë arsye, me propozimin e Ministrisë serbe të Fesë, me dekretin mbretëror të 24 prillit të viti 1924, formohet Shkolla e Mesme Speciale e cila iu dedikohej boshnjakëve, shqiptarëve dhe turqve. Në mënyrë që shkolla të pranohet më mirë, ishte emëruar “Medreseja e Madhe e Mbretit Aleksandër I”, e cila hapet në Shkup në vitin 1925.

Bashkësia Fetare Islame në Mbretërinë e SKS (Serbe-Kroate-Sllovene), përkatësisht Ulema Mexhlisi i Shkupit, i cili përfshinte tërë viset shqiptare në Jugosllavi, pati një rol të rëndësishëm në organizimin e popullsisë myslimane. Nisur nga ky fakt, pushteti i atëhershëm jugosllav te kjo organizatë shihte një “alet” (vegël) të fuqishme për realizimin e planeve të veta të errëta, siç ishin: asimilimi i popullsisë myslimane, veçanërisht të asaj shqiptare e turke; dëbimi i dhunshëm i kësaj popullsie për në Turqi dhe kolonizimi i këtyre viseve me kolonist sllavë.

Për këtë qëllim, zyrtarët e Beogradit, menjëherë pas mbarimit të Luftës së Parë Botërore, ndërhynë brutalisht në organizimin e brendshëm të Bashkësisë Fetare Islame, duke emëruar emisarë të tyre nëpër të gjitha organet drejtuese të saja. Këta emisarë, të cilët vinin nga Bosnja e Hercegovina, siç ishin Hasan Rebac, Ahmed Mehmedbashiq, Fejzi Haxhiamziq, Sheçerkadiq e shumë të tjerë, në përpikëri do t’i zbatojnë detyrat e pranuara nga padronët e tyre të Beogradit.

Përveç kësaj, me qëllim të realizimit të planeve të parapara, Qeveria mbretërore e atëhershme e SKS-së, në vitin 1925, në Shkup, hapi një shkollë të mesme gjoja për krijimin e “kuadrit fetar” për popullsinë myslimane, për viset – siç thuhej – “jugore jugosllave”. Në këtë shkollë, që e mori emrin “Medreseja e Madhe e Kral Aleksandrit të I-rë”, përveç drejtorit (Mehmedbashiq, një mysliman nga Bosnja e Hercegovina, i deklaruar si serb), nuk pati asnjë të punësuar që i takonte besimit Islam. Përkundrazi, të gjithë ishin të krishterë, serb ose rus, përfshirë këtu edhe mësimdhënësit e lëndëve fetare si dhe edukatorët.

Ideologët e atëhershëm serbë kanë qenë shumë të vetëdijshëm për atë se çka do të thotë për besimtarët myslimanë emërtimi “Medrese”. Kjo ishte arsyeja edhe pse bëhej fjalë për gjimnazin serb, përdorimi i emërtimit “Medrese”, që në këtë mënyrë t’i tërheqë sanxhaklinjtë dhe myslimanët tjerë që t’i regjistrojnë fëmijët e tyre. Që mashtrimi të jetë edhe më perfid, në “Medresenë” serbe, përveç lëndëve të gjimnazit, ishte shtuar edhe mësimi i Kuranit, njëra nga gjuhët orientale, por sipas kurrikulës shkollore të përgatitur nga Beogradi zyrtar.

Çerdhja kryesore e serbomëdhenjve, ishte Medreseja e Madhe, e cila u themelua në shtator të vitit 1925, me propozim të Ministrisë për Fe të Qeverisë së atëhershme të mbretërisë së SKS-së, dhe me dekretin e Mbretit Aleksandri i I-rë, të datës 24 prill 1924, e cila e mori emrin: “Medreseja e Madhe Kral Aleksandri i I-rë”.

Qëllimi primar i kësaj shkolle ishte asimilimi i popullsisë shqiptare dhe asaj të Sanxhakut. Këtë mund ta shohim në raportin vjetor për punën e kësaj shkolle, dërguar me 14 korrik 1930, Ministrisë së Arsimit. Dragosllav Jovanoviq, këshilltar i ministrit, përndryshe profesor universitar, qartë shprehet: “Përveç drejtorit Mehmedbashiq, nuk ka asnjë arsimtar ose edukator i besimit islam, por të gjithë janë ortodoksë të vërtetë, serbë ose rusë”.

Në vazhdim, ai në raport ndalet në shkaqet e themelimit të shkollës ku shprehimisht thotë: “Që t’ju dilet në ndihmë, elementeve myslimane të shkojnë në rrugën e vërtetë të arsimimit dhe progresit, të bëhet përtëritja e kuadrit teologjik, të edukuar nëpër shkollat në frymën e kulturës sonë”. Mandej shton “sigurimin e kuadrove për nevojat tona shtetërore dhe aspiratave e idealeve tona nacionale. Të eliminohet propaganda e huaj në mesin e shqiptarëve dhe turqve, që të përshpejtohet procesi i asimilimit. Si zgjidhje më e përshtatshme e çështjes sonë u pa hapja e shkollës Medreseja e Madhe…” , përfundon Jovanoviq.

Vijuesit e kësaj shkolle kishin strehimin dhe ushqimin në konviktin shkollor pa pagesë. Pa pagesë dhe të detyrueshme ishin edhe uniformat e shkollore. Përveç lëndëve tjera mësimore të gjimnazit, nxënësit e kësaj “Medreseje” janë marrë edhe me muzikë dhe kanë pasur dy kore dhe tri orkestra, seksionin e dramës, seksionin sportiv dhe letrar.

Çfarë kanë përfaqësuar shoqëritë e Sokolave Serbë, më së miri e shpjegon ky citat: “Sokolat Serbë paraqesin një lëvizje kombëtare e cila me ushtrimet fizike mbulon qëllimin e saj, d.m.th. bashkimi i të gjitha tokave serbe në një tërësi…”!

Rregullat e shoqatës së Sokolave ishin se të gjithë anëtarët e shoqatës, pavarësisht se nga janë, në mes vete duhet të quheshin “vëlla”, ndërsa përshëndetje e vetme ishte “zdravo”. Pra, boshnjakët, shqiptarët e turqit, si anëtarë të shoqatës së “Medresesë”, Sokol, ishin të detyruar t’i quanin “vëllezër” edhe ata “jeta e të cilëve ishte në duart e tyre”. Në të njëjtën kohë, në vitin 1924, këta “vëllezër” i kanë vra, mandej djegë në hell rreth 6000-7000 banorë të Shahoviqit

Medreseja e Madhe e Mbretit Aleksandar Karagjorgjeviq I, në Shkup, ka pasur detyrë themelore: t’i ngufasin sistematikisht ndjenjat kombëtare dhe fetare të studentëve dhe të formojnë njerëz të cilët do të i shërbejnë me besnikëri regjimit serb. Dëshmia më e mirë për këtë është fakti se pothuajse të gjithë nxënësit e “medreseve” mbretërore, kanë vazhduar “edukimin” e tyre në disa fakultete serbe dhe pothuajse asnjë prej tyre kurrë nuk u bë imam. Asnjëri prej tyre kurrë nuk ka bërë punë për komunitetin mysliman. Si medresantë të diplomuar, kur janë kthyen në vendet e tyre, këta myslimanë të serbizuar kanë themeluar shoqata të ndryshme e assesi institucione islame.

Nuk është rastësi që në këtë “medrese” serbe në Shkup, shumica e vijuesve ishin nga Sanxhaku në krahasim nga viset tjera. Mësimi zhvillohej në gjuhën serbe, dhe ishte e përshtatshme për popullsinë e Sanxhakut , popullsi e cila e kishte në përdorim gjuhën serbe!

Për shkak të qëndrimit jo të denjë të boshnjakëve ndaj sllavizmit (serbizimit) të dukshëm të cilin regjimi ua imponoi, në mesin e popullit shqiptar dhe turk në Kosovë në mënyrë të hapur flitej se “boshnjakët po na serbizojnë fëmijët”. Kjo është theksuar veçanërisht në takimet “Xhemijetit”, partisë politike që u mblodhën të gjithë myslimanët nga zona e Sanxhakut dhe Kosovës. Prandaj, Aqif Effendi Blyta dhe Ferhat-bej Draga morën iniciativën për krijimin e një Medrese të mirëfilltë në Shkup. Kjo edhe u arrit në vitin 1925, si e vetmja mënyrë për të kundërshtuar regjimin në serbizimin e besimtarëve myslimanë. Medreseja e Isa Beut, me iniciativën e prijësve fetarë dhe intelektualëve të atëhershëm, më 1932 u rindërtua, kështu që në vitin 1936 u krijuan kushte për të filluar me punë të rregullt. Njëkohësisht u reformua edhe programi i saj dhe ajo fitoi statusin e shkollës së mesme.

Ndër aktivitetet e shumta që zhvilluan organizatat fetare dhe kuadrot e dala nga Medreseja, gjatë periudhës kohore 1937-1941, duhet veçuar fushatat e bujshme kundër shpërnguljes së shqiptarëve për në Turqi. Qarqet e atëhershme, policore e ushtarake jugosllave, me të madhe e akuzonin udhëheqjen e Ulema Mexhlisit të Shkupit, për aktivitetin e saj politik e organizativ brenda popullsisë shqiptare, që sipas tyre binte ndesh me “politikën shtetërore” dhe se në mënyrë të dukshme po i acaronte marrëdhëniet fetare e nacionale në ato vise. Sipas tyre, bartës i këtyre aktiviteteve ishte Ferhat bej Draga, i cili siç vihej në dukje “me ndihmën e Mehmed Spahos ka arritur ta shqiptarizojë Bashkësinë Fetare Islame në Shkup dhe se “tash më ai është shpall lider i pakontestueshëm i shqiptarëve në Jugosllavi”.