Arkiva të Përmuajshme: Tetor 2014

Rriten tensionet në Sanxhak

Paralajmërimi i marshimit të çetnikëve rrugëve të Pazarit të Ri, si kundër përgjigje ndaj “Marshimit në Haxhet”, kanë ngritur tensionet në Sanxhak. Sjelljet raciste, shoveniste serbomadhe të tifozëve në Beograd, duke iu brohoritur e kënduar kriminelëve serb dhe djegia e flamurit të Republikës së Turqisë, janë shkëndija të një konflikti të mundshëm në Sanxhak.

Ismet Azizi
Lideri fetar dhe intelektual, myftiu Muamer Zukorliq, vazhdimisht ka përsëritur se ngritja e tensioneve në Sanxhak, lehtë mund të shpërthejë në dhunë, skenar të cilin Serbia nuk dëshiron ta shohë në territorin e vet, edhe pse me sukses e ka zbatuar në pjesën veriore të Kosovës dhe në Republikën Serbe të Bosnjës. Një gjë e këtillë është shumë e mundur dhe për te flet edhe sjellja e qarqeve intelektuale nacionaliste serbe dhe ajo e tifozëve, që aspak nuk duhet neglizhuar, duke u bazuar në të kaluarën sepse pikërisht konflikteve iu kanë pri grupet e ndryshme të tifozëve, sidomos ata të “Cervena Zvezdës”.

Tifozët e KF ” Crvena Zvezda” (Ylli i Kuq) së Beogradit, të shtunën në ndeshjen futbollit kundër KF “Novi Pazar” iu kanë brohoritur kriminelëve serb të luftës Ratko Mlladiqit dhe Radovan Karaxhiqit. Kur zyrtarët e stadiumit kërkuan të ndërpritet brohoritja, ata u përgjigjën me fishkëllima.
Simpatizuesit, përveç thirrjeve për Mlladiqin dhe Karaxhiqin, brohoritën dhe kënduan këngë nacionaliste për liderin çetnik Drazha Mihajlloviq.
Supozohet se kjo ishte një formë e provokimit, duke pasur parasysh se ekzekutimi me lahutë dhe këndimi i këngëve epike popullore janë me temë nga e kaluara e konfliktit mes Serbisë dhe Turqisë.

Transparenti Aqif BlytaTransparenti Aqif Blyta

Provokimi me lahutë është një mënyrë e ngacmimit të ndjenjës fetare të simpatizuesve të Novi Pazarit.
Ky provokim ndodhi në fillim të pjesës së dytë kur tifozët kënduan me lahutë, e që nënkuptohet e është një fyeje ndaj besimtarëve islam dhe ndaj turqëve. Tifozët kanë kënduar të përcjell me fishekzjarrë dhe mjete tjera piroteknike të cilat janë të ndaluara me ligj. Spikeri zyrtar, e as delegati zyrtar nuk kanë reaguar e as nuk ia kanë tërhequr vërejtjen tifozëve. Tutje, tifozët në stadium në minutën e 53, në shenjë urrejtjeje ndaj sanxhaklinjëve kanë djegur flamurin e Republikës së Turqisë.

Përndryshe, para pesë viteve simpatizuesit K F “ Novi Pazar”, me emrin “Torcida“, u paraqitën në stadiumin e tyre me transparentin “Stadion Aqif Efendija”, me të cilin kërkohej haptas që stadiumi të emërohet sipas heroit të këtij populli, Aqif Blyta. Kjo thirrje edhe atëherë edhe tash po hidhëron jo vetëm sportdashësit por politikën zyrtare të Serbisë dhe nacionalistët serb.

Disa herë për shkak të bartjes së flamurit shqiptar dhe atij turk nga “Torcida” në ndeshjet që zhvillon klubi i tyre, klubi është kërcënuar me suspendim të stadiumit, gjë të cilën edhe e kanë bërë.

Sporti është gjithçka në Ballkan, kështu që nuk ishte befasi kur banorët e qytetit më të madh të Sanxhakut dolën në rrugë para 4 viteve për të festuar rezultatin e ndeshjes Turqi-Serbi në gjysmëfinalen e kampionatit botëror të basketbollit në Stamboll. Ajo që ishte befasuese ishte fakti se ishte Turqia, e jo Serbia, që e kishte fituar ndeshjen.
Banorët e Sanxhakut, kryesisht myslimanë, i mbushën rrugët atë mbrëmje duke u gëzuar për humbjen e ekipit të shtetit të “tyre”, duke valëvitur flamuj turq dhe duke brohoritur “Sanxhaku nuk është Serbi”.

Serbinë dhe serbët po i pengon, si gjithherë, gjithçka që nuk është serbe edhe vet termi Sanxhak. Boshnjakët nuk e njohin himnin serb si të shtetit të tyre. Sportistët boshnjak nuk e nderojnë e as nuk e këndojnë himnin serb. Ky fakt i hidhëron në masë të madhe zyrtarët e lartë në Beograd. Qarqet serbe janë të vetëdijshme se ngritja e vetëdijes kombëtare të sanxhaklinjëve është në rritje e sipër. Mandej shumë mirë e dinë se këta janë ata të cilët ishin kontribuuesit më të mëdhenj të luftës në Bosnjë. Serbinë po e pengon arsimimi në rritje i boshnjakëve, deklaratat e shpeshta se ta nuk janë sllav, ndryshimi i mbiemrave etj. Pavarësimi i Bashkësisë Islame nga shteti, e cila me liderin e saj po udhëton drejt një autonomie të Sanxhakut, bënë që Beogradi mos të jetë i qetë. Me një rast myftiu Zukorliq pat deklaruar “ne nuk do ta shpallim autonominë, ne po e ndërtojmë autonominë”.

Mandej duke kërkuar përkrahjen ndërkombëtare, Zukorliq, për Radion Evropa e Lirë, me një rast pat deklaruar:“ Përse rrobat e mia të shkaktojnë turp dhe jo rrobat e Dalai Lamës? Nëse nuk është e lejuar për mua, atëherë nuk duhet të jetë për askënd. Kjo domethënë se duhet t’i fshijmë Dr. Martin Luter Kingun apo Gandin. Të gjithë këta ishin autoritete fetare”. Me këtë deklaratë myftu bëri thirrje qarqeve demokratike që ta përkrahin Sanxhakun në rrugën e tij për autonomi.

Se si do të rrjedh situata në prag të zgjedhjeve për Këshillin Nacional ku po punohet shumë në përafrimin e grupeve politike boshnjake, me këto provokime të pandërprera nga qarqet e ndryshme serbe, mbetet të shihet. Por, koha është që Perëndimi dhe qarqet demokratike evropiane ta kthejnë vëmendjen kah Sanxhaku para se të bëhet vonë.

———
botuar:
http://www.kokaj.net/opinione-detale/items/rriten-tensionet-ne-sanxhak.html
http://ina-online.net/maqedoni/46977.html
http://standardi.eu/sq/Standard-Plus/Rriten-tensionet-n%C3%AB-Sanxhak
http://2lonline.com/category/rrotull/article-page.php?id=8429
http://www.ekonomia-ks.com/?page=1,44,370121
http://botasot.info/opinione/328638/rriten-tensionet-ne-sanxhak/

Home


http://prizrenpost.com/al/?p=10189
http://www.rtklive.com/?id=12&r=5026
http://lajme.parajsa.com/Rajoni/id_585460/
http://ekuiliber.com/rriten-tensionet-ne-sanxhak/
http://www.shkupi24.com/ekskluzive-rriten-tensionet-ne-sanxhak/#sthash.TpZRp6KH.dpbs/
http://shenja.mk/index.php/lajme/rajoni/14389-rriten-tensionet-ne-sanxhak.html
http://vizion-info.com/?p=2404
http://gazetaora.com/?p=34004

Zukorliqi dhe Uglanini në shënjestër të mediave serbe


Kryetitujt më të shpeshtë të shkrimeve apo analizave të ditëve të fundit në mediat serbe janë: “Daçiç kërcënon Uglaninin: “Mos luaj me shtetin e Serbisë!”; “Vuqiq – Çfarë do të thoshte Uglanini për “Republikën Serbe “, e cila i ka 61 komuna?”; “Sanxhaku dhe Kosova nuk mund të krahasohen!”; “Paralajmërim për Uglaninin “ambiciet e Tirolit”; ”Uglanin dhe myftiu ndezin Sanxhakun”; ”Uglanin përsëri vizaton kufij”; ” Uglanin dëshiron të shkëputë Sanxhakun nga Serbia!”; ”Krerët e shtetit paralajmërojnë Uglaninin”; “Nëse shkohet në krijimin e autonomisë së Sanxhakut, ne do të formojmë komunat serbe në Pazar, Sjenicë …” etj. Këta kryetituj tregojnë se në çfarë sikleti janë mediat dhe opinioni serb, e mos të flasim për qeverinë serbe.

Ismet Azizi
Këtyre ditëve, Partia e Aksionit Demokratik, lider i së cilës është Sulejman Uglanini, ka lëshuar një komunikatë në të cilën janë kumtuar detyrimet për të cilat duhet të angazhohen kandidatët që do të garojnë për Këshillin Kombëtar Boshnjak. Detyrë e patjetërsueshme është respektimi i rezultateve të referendumit për autonomi të mbajtur në vitin 1991.

Në faqen e internetit të Partisë për Veprim Demokratik të Sanxhakut janë publikuar kriteret që duhet të përmbushen nga boshnjakët të cilët dëshirojnë që më 26 tetor, në zgjedhjet për KKB, të jenë në listën “Për unitetin boshnjak” të cilën do ta udhëheqë lideri i kësaj partie dhe deputeti i Kuvendit të Serbisë – Sulejman Uglanini.

Përveç “Kushteve të përgjithshme” – që të jetë i regjistruar si boshnjak, besimi i tij duhet të jetë Islami, ndërsa gjuha boshnjake, ti festojë festat boshnjake dhe respekton stemën boshnjake, të pranohet flamuri dhe himni “unë jam biri yt”, i cili është i ngjashëm me himnin boshnjak të Bosnjës. Kandidatët, të cilët duan të jenë në “listën gjithëpërfshirëse” të Uglaninit, duhet ti përmbushin edhe disa “kushte të veçanta”.
Ndër të tjera, “janë të detyruar” t’i njohin dhe t’i respektojnë rezultatet e referendumit për autonomi të Sanxhakut, i cili në vitin 1991 është bërë në ilegalitet të cilin e ka organizuar Këshilli Kombëtar i Sanxhakut, nëse zgjidhen si këshilltar, janë të detyruar të angazhohen për të drejtën e boshnjakëve për vetëvendosje.

Ju përkujtojmë se KKB dhe PAD-i në vitin 1991 publikuan se myslimanët -boshnjakët, pothuajse njëqind për qind votuan për autonomi të Sanxhakut. Përveç në Sanxhakun verior (pjesën nën Serbi), në atë kohë është votuar edhe në Mal të Zi. Rezultatet e këtij referendumi nuk u njohën as nga ana e Serbisë e as nga Mali i Zi. Për një kohë të gjatë, sidomos deri sa ishte në pozita të larta në Qeverinë e Serbisë, në këtë referendum nuk ishte thirrur as vet Sulejman Uglanin.

Zgjedhjet për BNV deri më tani janë mbajtur me shumë tensione dhe fushata ka qenë më intensive se që ishte në zgjedhjet lokale dhe republikane. Për shkak se në lojë kanë mbetur dy kandidatë të fortë, Uglanin dhe Zukorliç, të cilët janë në bisedime për të dalë së bashku në këto zgjedhje, është e mundur që këto zgjedhje të kalojnë në atmosferë diç më të qetë.
Zëvendës kryeministri i parë dhe Ministri i Punëve të Jashtme i Srbisë, Ivica Daçiç, i cili ndodhet në Nju Jork ku po merr pjesë në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, ka deklaruar se “askush nuk mund të luaj me shtetin dhe me kufijtë e Serbisë dhe se këto deklarata shfrytëzohen për qëllime politike dhe personale”.

Daçiç ka reaguar ashpër ndaj kërkesës së PAD për autonominë e Sanxhakut, në një intervistë telefonike për të përditshmen Beogradase “Vecernje Novosti”, tha se deklaratat për autonominë si e drejtë kushtetuese e qytetarëve, në të vërtetë ngacmon tensionet në trevën e Rashkës dhe Sanxhakut.
Partia e Aksionit Demokratik, lider i së cilës është Sulejman Uglanin, ka propozuar që në Sanxhak të zbatohet modeli i Tirolit Jugor të Italisë, ku qeverisja e Tirolit praktikisht është sovrane. Shefi i diplomacisë serbe, Daçiç, theksoi se nuk duhet që me deklarata të panevojshme të nxiten tensione të mëtutjeshme, siç po veprojnë anëtarët e PAD-it të cilët në fushatën për zgjedhjet e këshillave kombëtare po flasim për autonominë e Sanxhakut, por duhet të veprojnë në qetësimin e situatës në Serbinë jug-perëndimore.

Enis Imamoviq nënkryetar i PAD-it, dhe deputet në parlamentin serb, pas një vizite në Tirolin Jugor, ku është diskutuar për “bashkëpunimin në përcaktimin e autonomisë së Sanxhakut, si një rajon evropian kufitare midis Serbisë dhe Malit të Zi,” tha se një shkallë e lartë e autonomisë është mënyra më e mirë që në Sanxhak “njerëzit e pasur të jetojnë të lirë dhe të ushtrojnë të drejtat e tyre , sipas Kushtetutës, ligjeve vendore dhe normave ndërkombëtare dhe të operojnë me sistemin në të cilin ata jetojnë. ”

“Në qoftë se autonomia është, sipas mendimit të përfaqësuesve të lartë të autoriteteve serbe, një model i mirë për serbët në Kosovë, mund të jetë edhe për të gjithë qytetarët e Sanxhakut”, vlerësoi Imamoviq në një intervistë me “Politika”.
“Me sa kemi mundë të vërejmë, tema e autonomisë është e afërt me ate të presidentit Tomislav Nikoliç, kryeministrit Aleksandar Vuçiç, zëvendëskryeministrit të parë, Ivica Daçiç, dhe zyrtarëve të tjerë të lartë dhe institucionet që kërkojnë autonomi për Bashkësinë e komunave serbe të Kosovës. Në qoftë se ky është një model i mirë për serbët në Kosovë, nuk shoh pse kjo nuk do të ishte për të gjithë qytetarët e Sanxhak, “tha Imamoviq.
Ai shtoi se në Sanxhak nuk mbështesin idenë që rajonet të përcaktohen në baza etnike siq propozohet për bashkësitë e komunave serbe, sepse Sanxhaku është “mjedis multietnik në të cilin jetojnë në marrëdhëniet shumë të mira boshnjakët, shqiptarët, serbët, malazezët dhe të tjerët”.
Në anën tjetër shoqata serbe e ashtuquajtur “ Ras”, reagon ashpër nga paniku. “Çfarë Tiroli, ato janë përralla për fëmijë të vegjël. Uglanin që nga themelimi i SDA thërret për separatizëm dhe kërkon autonomi. Një kohë, ai i kërkoi shtetin e Sanxhakut” – thotë, Dr. Dobrosav Nikodinoviq, president i Shoqatës “Ras” me seli në Pazarin e Ri. Ai vë në dukje se gjysma e popullsisë në rajonin e Sanxhakut janë serbë të cilët janë shumicë në disa komuna, si Priboj dhe Nova Varosh.

“Serbët në rajonin e Rashkës ( siç e quan ai Sanxhakun) kurrë nuk do të pajtohen që të jetojnë në Sanxhakun autonom edhe nëse ai është sipas modelit të Tirolit. Në çdo përpjekje të tillë konkrete ne do të përgjigjemi duke formuar komunat serbe në Novi Pazar, Tutin dhe Sjenicë “- thotë
Nikodinović dhe thekson se të gjitha këtyre iniciativave i ka kontribuar qeveria inerte në Beograd, e cila inkurajon separatistët me pasivitetin e sajë.

Një të vërtet nuk duhet harruar. Sanxhakut i është suprimuar autonomia historike të cilën e ka pasur. Beogradi përsëri ka paralajmëruar masa represive ndej secilit që përmendë autonominë. A do të duhej që si për të kaluarën edhe për të ardhmen t’i dërgohej ftesë Bashkësisë Ndërkombëtare që ti dërgoj vëzhguesit e vet. Një gjë është e sigurt se politika nacionale në Sanxhak ka shënuar kthesë. Vetëdija e Boshnjakëve kaherë është zgjuar.

Si do që të jetë grupet politike në Sanxhak po shkojnë drejt nji unifikime dhe drejt krijimit të nji autonomie, të cilën e kanë kërkuar kahmot, ndërsa me veprimet e tyre janë duke e jetësuar këtë platformë të tyre politike.
———–
botuar:
http://botasot.info/opinione/329949/zukorliqi-dhe-uglanini-ne-shenjester-te-mediave-serbe/
http://www.standardi.eu/sq/Opinione/Zukorliqi-dhe-Uglanini-n%C3%AB-sh%C3%ABnjest%C3%ABr-t%C3%AB-mediave-serbe
http://www.kokaj.net/rajoni-bota-detale/items/zukorliqi-dhe-uglanini-ne-shenjester-te-mediave-serbe.html
http://gazetaora.com/zukorliqi-dhe-uglanini-ne-shenjester-te-mediave-serbe/

Home


http://ilirida.net/zukorliqi-dhe-uglanini-ne-shenjester-te-mediave-serbe/
http://www.shkupi24.com/zukorliqi-dhe-uglanini-ne-shenjester-te-mediave-serbe/#sthash.ZuWu4sRj.dpbs
http://2lonline.com/category/lajmet/article-page.php?id=8571
http://www.titulli.com/index.php?m=post&s=4257
http://zemra.li/2014/09/27/zukorliqi-dhe-uglanini-ne-shenjester-te-mediave-serbe/
http://www.asabija.com/zukorliqi-dhe-uglanini-ne-shenjester-te-mediave-serbe/
http://www.ekonomia-ks.com/?page=1,9,370325
http://albtime.com/index.php/lajme/rajon/27256/zukorliqi-dhe-uglanini-ne-shenjester-te-mediave-serbe
http://www.mesazhi.com/mendime/zukorliqi-dhe-uglanini-ne-shenjester-te-mediave-serbe

Serbia kërkon aleat si Esat Pashë Toptanin

Esad Pasha

Drejtori i Zyrës për Kosovë, Marko Xhuriq, duke harruar të kaluarën, dhe krimet e serbëve në Kosovë dhe Shqipëri gjatë Luftërave Ballkanike, vlerëson se Serbët dhe Shqiptarët e Kosovës deri në vitin 2025 mund të jenë aleatë dhe miq. Por, kjo do të varet nga hapat e politikanëve në Beograd dhe Prishtinë që do t’i bëjnë gjatë viteve të ardhshme.
Ismet Azizi
Marko Xhuriq ka thënë se Serbia këtë vit përkujton Esad Pashë Toptanin, aleatin e saj, i cili i kishte ndihmuar në të gjitha luftërat në fillim të shekullit të 20-të.
Sipas tij, Esad Pashë Toptani ishte një aleat i madh dhe mik i serbëve, i cili ushtrinë serbe në tërheqje nëpër Shqipëri me xhandarët e tij e ka mbrojtur nga “bandat plaçkitëse të kaçakëve”, dhe i cili pas përcjelljes së mbretit serb dhe qeverisë serbe vazhdoi të luftojë në anën serbe edhe në frontin e Selanikut.
“Këtë shembulli kam dashtë ta potencoj sot me qëllim të ilustrimit se në historinë tonë nuk ishte edhe aq zi, dhe se në të ardhmen tonë, për dallim nga e tashmja dhe kaluara, nuk është e domosdoshme të jetë krejt zi”, përfundoi Drejtori i Zyrës serbe për Kosovë.
Z. Xhuriq duhet ta kthej mendjen në të kaluarën, për t’iu qasë zgjidhjes së konfliktit me Shqiptarët. Zgjidhja e konfliktit me Shqiptarët nuk mund të bëhet duke kujtuar Esad Pashë Toptanin, i cili ishte një tradhtar i popullit të vet. Esad Pashë Toptani është një shembull i keq për Serbinë përderisa ajo nëpërmjet tij mundohet të praqet marrëdhënie miqësore me Shqiptarët. Të gjithë shqiptarët, kudo që janë, Toptanin e konsiderojnë si një tradhtar të popullit të tij. Me këtë hap Serbia na bënë të qartë se nuk ka ndërmend të lidhë miqësi me Shqipërinë, për deri sa ende e konsideron Toptanin aleat. Shqiptarët as që kanë lejuar që Toptani të varroset në Shqipëri dhe kështu varri i tij ka mbetur në varrezat serbe në Paris.
Me fjalë të tjera, Serbia me këtë gjest na bënë me dije se nuk e ka ndryshuar qëndrimin e saj ndaj Shqiptarëve. Pra, Serbia me shqiptarët nuk angazhohen për të krijuar bashkëpunim të barabartë, por me individë të cilët mbështesin atë në dëm të vetvetes. Madje, Serbia mendon se në mesin e shqiptarëve ende mun dtë gjej aleatë që do t’i udhëhiqte dikush si Esat Padhë Toptani.
Xhuriq, duhet të dijë se çfarë ka deklaruar bashkëkombësi i tij, gjegjësisht deputeti në Kuvendi Mbretërisë SKS, Dragisha Llapqeviq, për çështjen shqiptare, të mbajtur më 6 shkurt të vitit 1914.
“Politika e qeverisë sonë ka krijuar kushte të tilla dhe këto kushte, për shumë vite, ndoshta, për shumë dekada do të përsëritet konflikti dhe fatkeqësitë në mes të dy popujve fatkeq. Konsideroj se politika e qeverisë serbe me marshimin e parë ndaj Shqiptarëve ishte e gabuar, e dëmshme dhe për të ardhur keq, si për lirinë popullit Shqiptarë, si dhe për paqen dhe qetësinë e popullit serb. Me një gjë duhet të jemi të qartë dhe një duhet të pajtohemi: në perëndim të Gadishullit Ballkanik është një komb i cili dëshiron të jetojnë jetën e vet të lirë. Qeveria e Serbisë nuk duhet ta përulë Shqipërinë dhe të nënshtroj popullin Shqiptarë. Shqiptarët shekuj me radhë me popullin serb kanë jetuar në fqinjësi të përbashkët. Në proklamimet luftarake, këto marrëdhënie përmenden me theks të veçantë. Kemi shembuj në historinë e kohëve të fundit kemi shembuj se shqiptarët gjithmonë kanë dashur të jetojnë në marrëveshje me Serbinë, në partneritet me ta për të fituar lirinë nga turqit, populli serb dhe ai shqiptarë. Në vitin 1806 në bedemet e Beogradit janë dëgjuar britmat e vërsuljes në gjuhën shqipe. Në historinë e Shumadisë, dhe në revolucionin e sajë, ne gjejmë njerëz që janë revolucionarë shumë të zgjuar dhe me origjinë shqiptare. Ne nuk duhet të harrojmë se në vitin 1829 Shqiptarët kanë dashur dhe kërkuar lidhjet me Serbinë, këtë e kanë përsëritur edhe në vitin 1847 dhe Serbia mbeti e shurdhër ndaj kësaj thirrjeje. Ne e dimë se shqiptarët në vitin 1875 dhe 1876 kanë dashur të jenë në një bashkësi me Serbinë, dhe se Serbia në vitin 1878 ka dëbuar dhe shpërngulë Shqiptarët nga katër rrethet të cilat i kishte pushtuar. Në pranverën e vitit 1904 ata dërguan një delegacion në Beograd dhe kërkuan asgjë më shumë se vetëm një qasje miqësore të Serbisë për lëvizjen e tyre për autonomi. Dhe së fundi, në vitin 1912 prijësit shqiptarë kanë ardhur në Beograd kanë bërë takime me qeverinë serbe, mandej takime me z. Pashiq dhe janë vënë në dispozicion: për të lehtësuar depërtimin e ushtrisë serbe me kusht që Serbia të ua mundësoj që ata të çlirohen nga Turqia dhe të fitojnë autonominë e tyre.

Shqiptarët u prenë në besë
Në vend që Serbia, e cila aq shumë kohë ka luftuar për çlirimin e vet, dhe të bëjë gjithçka nga ana e sajë që shqiptarët të fitojnë lirinë e tyre – Serbia e ka dërguar ushtrinë e vet ta shkelë Shqipërinë, për të kaluar në detin Adriatik me dëshirën për ta nënshtruar dhe ta robëroj popullin Shqiptarë. Serbia ka mund të veproj që Shqipëria të arrijë deri te autonomia dhe shteti i vet nacional. Sikurse të ishte bërë një gjë e tillë, kjo kishte me krijuar një miqësi të mirëfilltë, kishte me krijuar kushte për lidhje të forta dhe krijimin e një bashkësie ekonomike në mes Serbisë dhe Shqipërisë. Kjo kishte me qenë një pikënisje për marrëveshje politike. Në vend të kësaj atje u shkua me pushkë dhe top, dhe jo vetëm që u kryen krime të cilat nuk i shkojnë në nderë një shteti, i cili dikur ka pasur traditë revolucionare dhe çlirimtare, por u krijuan kushte për fërkime të përhershme ndërmjet Shqiptarëve dhe Serbëve. Ne vazhdimisht do të kemi kobure dhe fatkeqësi nëse Serbia nuk vendosë ta ndryshoj politikën në drejtim të kontaktit të plotë me popullin Shqiptarë dhe krijimin e një lidhje të fortë me të”( Përfundim i citatit. Përshtati autori I. A).
Për deri sa Serbët e konsiderojnë vitin 1912 si vit të çlirimit të Kosovës dhe Sanxhakut nga Turqia, ndërsa shqiptarët, këtë vit të okupimit nga ushtria serbe,është e natyrshme që nuk mund të imagjinohet në të ardhmen e afërt ndonjë lloj pajtimi.